Joao Cancelo ka dhënë një intervistë për “A bola”, ku ka përgënjeshtruar fjalët e dala në kampin e Manchester City-t për të. Mbrojtësi portugez ka mohuar të ketë pasur një ndjesi superioriteti kundrejt ish-shokëve të skuadrës. Ai është shprehur se te City janë treguar mosmirënjohës me të, ndërsa tregon edhe sakrificat që ka bërë për ekipin.
“Historitë për mua te Manchester City ishin të rreme. Nuk kam qenë kurrë një shok skuadre i keq. Më kujtohet kur u grabita në shtëpi dhe të nesërmen luajta në ‘Emirates’ kundër Arsenalit. Këto janë gjëra që nuk harrohen. Lashë gruan dhe vajzan time vetëm në shtëpi ende të frikësuara, në shok, për të luajtur për City-n. Te City u treguan pak mosmirënjohës që folën kështu për mua. Kam qenë një lojtar i rëndësishëm për ta.
Kurrë nuk jam ndjerë më i mirë se shokët e tjerë të skuadrës, por është mendimi i trajnerit. Njerëzve u kujtohet kjo, sepse Guardiola ka shumë më tepër fuqi se unë kur thotë diçka. Parapëlqej të di se po them të vërtetën. Kurrë nuk kam gënjyer”, ka thënë Joao Cancelo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/