Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme miqësoren kundër Kilit dhe e gjithë vëmendja është kthyer kah kuqezinjve. Për të folur më gjatë rreth Kombëtares, në emisionin “Koha Shtesë” është ftuar një emër i njohur në sportin shqiptar, si Edmond Kapllani. Ish-lojtari i kuqezinjve ka kujtuar golin e tij të parë me fanellën e Shqipërisë, si dhe ka dhënë mendimin e tij rreth sulmuesve që ka në dispozicion trajneri Silvinjo. (Videon e plotë të emisionit “Koha Shtesë” e gjeni më poshtë)
“Kur shënon gol është një emocion i pakontrollueshëm në situata. Goli i parë që kam bërë me ekipin kombëtar ka qenë një kënaqësi që as vetë nuk e di… Mund të bëja 5 xhiro rreth pistës dhe nuk do të lodhesha. Aq kënaqësi kam pasur. Është ndryshe kur bën gol për klubin ku je, është ndryshe kur bën gol për ekipin kombëtar, aty ku ke lindur dhe të shohin të gjithë shqiptarët. Golin e parë me Kombëtaren e Shqipërisë e kam pritur prej kohësh. Kisha bërë disa ndeshje dhe nuk po zhbllokohesha. U ndjeva i mbushur kur shënova gol. Edhe tani që po e përmend, po më dridhet trupi”, ka thënë Edmond Kapllani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/