Shqipëria do të luajë mbrëmjen e nesërme miqësoren e parë pas kualifikimit në Euro 2024. Në prag të ndeshjes ndaj Kilit, e cila nis në orën 20:45, trajneri Silvinjo dhe Berat Gjimshiti janë paraqitur në konferencë për shtyp. I pari ka folur kapiteni i Kombëtares, i cili ka shuar kureshtjen e gazetarëve të pranishëm. I pyetur në lidhje e grupin e Euro 2024-s, Gjimshiti ka thënë se nuk i frikësohet emrave, pavarësisht se ka respekt maksimal për kundërshtarët. Megjithatë, mbrojtësi i Atalantës kërkon të bëjë befasinë në Gjermani.
“Është një Kombëtare që merr pjesë gjithmonë në Copa America. Do jetë një test shumë i rëndësishëm për ne. Nuk jemi mësuar të luajmë me Kombëtare të tilla. Do të jemi shumë të vëmendshëm në këtë ndeshje dhe do ta përballojmë 100%. Aspekti difensiv ka po aq rëndësi sa ai ofensiv në (Euro 2024). Njëri me tjetrin lidhen bashkë. Nuk është vetëm mbrojtja që mbron, por gjithë ekipi. Nuk është vetëm sulmi që sulmon, por e ndihmon i gjithë ekipi.
Ne që kemi shumë kohë që luajmë në Itali dhe e dimë si është futbolli aty. Ka shumë popull shqiptarë këtu, që do na përkrahin edhe nesër. Italia është një Kombëtare që ka historinë e vetë. Çdo eliminatore është aty, si në Europian, si në Botëror. Por në futboll çdo gjë është e mundur. Pse jo?! Të bëjmë surprizë atje. Nuk kemi shumë frikë nga ato ekipe, por kemi shumë respekt, si për Italinë, ashtu edhe për Kombëtaret e tjera që kemi në grup.
Aleksis Sançez? Ka bërë karrierë. Vetë emri flet për të. Ka cilësi, është në nivelin botëror. Duhet ndihma e ekipit për të ndalur, jo vetëm një lojtar. Por një lojtar i vetëm nuk mund të bëjë diferencën”, ka thënë Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/