Liverpuli është ndalur në një barazim 1-1 nga Mançester Siti në “Enfild”. Ndeshja u mbyll me protesta nga ana e Jurgen Klopit, teksa gjyqtari refuzoi të jepte një penallti në favor të të kuqve.
Doku ndërhyri me taka të ngritura në zonën e rreptësisë, duke bërë që ndërhyrja e tij të ngjasonte me lëvizjet e sporteve luftarake dhe jo me ato të futbollit. Megjithatë, arbitri dhe VAR-i e konsideruan si të rregullt veprimin e tij. Jurgen Klopi është shprehur për “Sky Sports” pas ndeshjes se penalltia ishte e pastër dhe këtë e dallon çdo njeri i botës së futbollit.
“Për të gjithë njerëzit e futbollit në këtë planet ishte një penallti e pastër. Në të gjitha pozicionet në fushë është një goditje dënimi dhe një karton i verdhë gjithashtu”, ka thënë Jurgen Klopi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/