“E kam marrë Dinamon me 7 pikë”! Trajneri Mehmeti flet pas fitores së thellë: Kam pasur gjithmonë besim te ky ekip

Laci dhe Vllaznia janë ndalur në një barazim 1-1, në ndeshjen më të rëndësishme të ditës së sotme. Shkodranët nuk kanë mundur dot që fitojnë kundër kurbinasve. Për më tepër që e gjetën veten në disavantazh me golin e Ujkës në minutën e 40. Megjithatë Alivoda arriti që të shënonte golin e barazimit në të 49, duke i dhënë një pikë në këtë transfertë.

Nga ana tjetër, Dinamo ka arritur që të fitojë pastër ndaj Erzenit, 0-4. Një ndeshje ku dinamovitët nuk i lanë asnjë shpresë të vetme kundërshtarit. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-2 falë golave të Hoxhës dhe Kacorrit. Ndërkohë në fundin e takimit, përkatësisht në minutën e 84 dhe 88, ishin Zabërgja dhe Bardhi që rritën statistikat e fitores. Me këtë fitore, Dinamo i afrohet akoma më shumë Final Four, ndërsa Erzeni vështirëson punën e mbijetesës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:

Mehmeti: “Kam pasur gjithmonë besim te ekipi im, sot treguam se kur futemi me mentalitet fitues, ne ia dalim. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë se nuk kemi bërë asgjë. Unë nuk merrem me ekipin e Erzenit, por shoh ekipin tim. Klubi ka bërë maksimumin në merkaton e janarit, pasi ajo merkato nuk të lë shumë hapësirë për të gjetur elemente të mirë. Nuk duhej që të largoheshin shumë lojtarë dhe të afroheshin shumë të tjerë. Unë e kam marrë ekipin nga zona e ftohtë me 7 pikë dhe dua të rregullojë lojën e ekipit”.

Osmani: “Nuk e di nëse duhet të jemi të lumtur për pikën apo të zhgënjyer për dy pikë të humbura. Mendoj se ishim më afër fitores, gabuam në disa raste që nuk i shfrytëzuam. Kjo ishte një nga ndeshjet më të mira që kemi bërë me mua si trajner sa i përket qarkullimit të topit. Duhej të finalizojmë rastet që krijojmë”.

Deliallisi: “Marrë përgjegjësinë për këtë humbje, nuk i fshihem asgjëje. Këto ishin zgjedhjet e mia në fushë për sot, mund të kisha vepruar ndryshe, jam unë ai që bëj formacionin. Ishte ndeshja jonë më e dobët sot, uroj kundërshtarin. Sot nuk kishim dëshirën dhe agresivitetin që kam kërkuar gjatë javës. Është e patolerueshme. Unë kam një gjë, kështu do të jetë deri në fund si trajner. Kur humbas, përgjegjësinë e mbaj unë. Kur fitojë, merita i shkon lojtarëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *