VIDEO/ Flitet për largimin e tij nga Chelsea brenda pak ditësh, por lëvizja e Pochetino me Armando Brojën dje i tregon të gjitha

Tifozët sot kanë në dorë të shkatërrojnë karrierën e një lojtari. Ndryshe nga më parë, tanimë është më shumë i dukshëm ndikimi i tifozëve karshi ecurisë së një futbollisti. Vite më parë ishte Bendter që e provoi, pa harruar Maguire, tanimë Onana, por edhe pak sezone më herët Granit Xhaka te Arsenali.

Shpeshherë tifozët e ekipeve në Angli zgjedhin një lojtar nga skuadra e tyre për ta “mas.akruar” me komente negative. Te Chelsea e kanë bërë zgjedhjen e tyre për këtë sezon, Armando Broja. Madje situata shkoi deri aty aq sa shumë tifozë të Chelsea po shpërndanin pamjet e një aksioni kundër Fulham me mbishkrimin: “Armando Broja, sa skandaloz që je”. (Kjo temë u trajtua në emisionin Koha Shtesë)

Rasti i referohej një mundësie të shpërdoruara të Madueke pas pasimit të bukur të Palmerit, ndërkohë që Broja në atë moment ishte ulur në stol nga Pochetino. Kjo tregon saktësisht “fiksimin” e tifozëve të Chelsea për të kritikuar gjithçka, shpeshherë edhe më kot e pa arsye. Nëse do t’i bazohemi statistikave, në tre ndeshjet e fundit ku Armando Broja ka luajtur nga minuta e parë pas largimit të Jackson në Kupën e Afrikës, Chelsea ka fituar të tre takimet.

Në ndeshjen e djeshme ndaj Middlesbrough, atje ku Broja u përfshi në dy golat e parë të takimit, sulmuesi do të zëvendësohej në minutën e 65, kur ndeshja kishte përfunduar me rezultatin e thellë të Chelsea. Por çfarë do të thotë kjo lëvizje e Pochetino, në një kohë që flitet për largimin e Brojës në këto ditë?

Nëse Broja do të largohej brenda pak ditësh, me siguri që Pochetino ta linte në fushë për 90 minuta. Ishte ndeshja ideale ku Broja mund të shënonte gol pasi kundërshtari ishte i shkatërruar dhe kartoni i sulmuesit shqiptar mund të rriste vlerën. Por fakti që Pochetino e hoqi nga fusha tregon se kërkoi të ruante energjitë e Brojës për ndeshjen e radhës pas 2 ditësh që do të jetë kundër Aston Vilës. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *