Kthimi i Leonardo Bonuçit në Serinë A ishte thuajse një fakt i kryer deri pak ditë më parë. Mbrojtësi italian kishte dritën jeshile nga Unioni i Berlinit dhe nga Murinjo për të kaluar te Roma. Ish-kapiteni i Juventusit pranoi të ulte pagën dhe ishte i gatshëm të firmoste një kontratë afatshkurtër për të përmbushur këtë transferim. Madje, arriti të merrte edhe besën e Spaletit, se në rast aktivizimi të rregullt, atëherë do të konsiderohej për të qenë pjesë e Italisë në Euro 2024.
Detajet duket se ishin të kopsitura mirë, por së fundmi negociatat kanë marrë një rrjedhë tjetër. Bisedimet mes palëve janë ndalur nga ana Romës. Shkak për këtë janë bërë tifozët. Bonuçi është i padëshiruar nga tifozeria verdhekuqe, e cila e ka refuzuar transferimin e mbrojtësit italian, për shkak të së shkuarës së tij me Juventusin. Mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare, apo do të jenë tifozët ata që do të thonë fjalën përfundimtare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/