Orges Shehi ishte pjesë e Tiranës në sezonin e kaluar dhe nuk i shijoi aspak mbyllja e kampionatit, atje ku Partizani arriti që të fitonte garën me bardheblutë në momentet e fundit. Ndërkohë Shehi tanimë është pjesë e të kuqëve dhe duhet të rivalizojë Tiranën. Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, Shehi foli edhe për historinë e shkuar.
“Kalimi në ekstremet e kryeqytetit? Nuk jam as i pari as i fundit në futbollin profesionist. Është një kalim direkt mes dy skuadrave që kanë qenë rival historik. Profesionalizmi është çështje e rëndësishme, pastaj ka të bëjë edhe mënyra sesi e trajtojnë vet individët. Të jesh pjesë e Partizanit është krenari e madhe. Ky klub ka ndryshuar shumë që nga koha që isha këtu. Kemi kaluar vite që kishim objektiva të rëndësishëm. Tani Partizani ka ndryshuar, pasi kam ikur ka rikuperuar shumë, ka fituar tituj dhe ka bërë infrastrukturë. Kënaqësi të jem pjesë e këtij projekti, kur janë të gjitha kushtet, mbetet vetëm të përpiqesh dhe të jesh i disiplinuar për të arritur objektivat.
Kemi patur ecuri të mirë te Tirana, kemi qenë gjithmonë konkurrent, siç i ka hije klubeve që synojnë të jenë kompetent. E rëndësishme është që në klube të tilla të mbash standardin dhe të rrish në ato nivele. Vazhdimësia është shumë e rëndësishme në futboll. Jam i kënaqur me atë që kam arrit. Polemikat për titullin e Partizanit vjet?Mendoj që është çështje e mbyllur, Partizani ka dalë kampion. Ishte një kampionat i luftuar, në fund fare verdiktet janë për t’u pranuar”, tha Shehi. /Sport Ekspres/