Nga Xhevdet Zekaj/ Lojtarët e Partizanit shtriheshin për të fituar kohë sikur kishin marrë “plumba”, Egnatia bëri “harakiri” në Superkupë

Nga Xhevdet Zekaj

Egnatia humbi një trofe, që e fitoi moralisht. Futbolli prandaj është i bukur, sepse ka të papritura të befasishme. Prandaj në ndonjë rast tregohet edhe i pabesë. Jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë, ajo që luan futboll modern, të rrjedhshëm e sulmues, që dominon ndeshjen.

Superkupa e Shqipërisë, e luajtur mbrëmë në “Arena Kombëtare” e vërtetoi gjithë këtë befasi të sportit më magjik në botë. Egnatia krijoi raste pa fund, dominoi lojën, dha spektakël, por në fund fitoi Partizani. Asgjë me kundërshtarin, sepse trajneri Tetova e uroi publikisht për suksesin dhe trofeun, direkt nga fusha e blertë, pa iu tharë ende djersa futbollistëve.

Kësaj here nuk vlejti loja me pasime, driblime, vertikalizime, fantazi e qasje sulmuese, por vendosën dy gabime. Pra, më shumë se fitoi Partizani, e vërteta është se ndëshkoi veten skuadra rrogozhinase. Përndryshe, ashtu si po luhej, vështirë që Partizani ta gjente rrugën e rrjetës. Po, shfrytëzoi dy “asiste” që iu dhanë dhe iu gëzua trofeut të Superkupës.

Të gjithë e panë se pjesa e parë u dominua totalisht nga Egnatia, e cila krijoi shumë raste, por pa i finalizuar dot. Partizani shënoi në të vetmin rast të rrezikshëm në portën rrogozhinase, duke shfrytëzuar gabimin fatal, por të rastësishëm të portierit Sherri. Pas kësaj pamë një Partizan që “zvarritej” në fushë, me lojtarë të shtrirë sikur i kishin marrë plumbat, duke vonuar lojën, si mënyra e vetme për t’i bërë ballë furisë ofensive të rrogozhinasve, gjithnjë në kërkim të golit të barazimit, më së paku.

Dhe kur duhej të ndryshonte rrjedha e kësaj ndeshjeje, Partizani “falet” sërish nga Fernando, i cili tenton “Panenka”, por ia dorëzon topin në dorë portierit Qirko. Natyrisht, mund ta fitosh një trofe sikurse bëri dje Partizani, qoftë edhe duke “parkuar atobusin”; e ka bërë edhe Mourinho këtë gjë në vitin e “tripletës” historike më Interin, por kësaj here bëri “harakiri” Egnatia dhe nuk fituan të kuqtë.

Pa diskutim, Partizani mbetet një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, por ditën e djeshme nuk tregoi thuajse asgjë për ta merituar Superkupën. Po flasim për logjikë sportive, për atë që ndodhi në fushën e lojës, ku të gjithë e panë se fituese morale ishte Egnatia. E pafat skuadra e Tetovës, që shpërdoroi pa fund, iu bëri dy “dhurata” që as në ëndrrën më të mirë nuk i mendonin kampionët e vendit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *