Derbi i zjarrtë i kryeqytetit nuk pati fitues. Tirana dhe Partizani janë ndarë me një barazim 1-1. Ndeshja në “Air Albania” nisi me vonesë për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike nga ana e tifozëve, të cilët do të bëheshin më pas shkaktarë edhe për nderprerjen e ndeshjes për hedhjen e sendeve të forta në fushë. Sfida u zhbllokua në minutën e 28, atëherë kur Hasani shënoi një gol mjaft të bukur për Tiranën. Skuadrat patën të dyja rastet e tyre më pas, por do të ishte Partizani ai që do të shënonte.
Albers Keko e gjeti veten i vetëm në zonë, kur në minutën e 79 goditi portën dhe e ndali topin në rrjetë. Nuk mungoi as tensioni në këtë përballje, teksa Doka dhe Rrapaj nuk i kontrolluan dot nervat e tyre, duke u përplasur fizikisht në pjesën e dytë. Në fund, rezultati mbeti 1-1 dhe skuadrat dolën nga “Air Albania” me nga një pikë më shumë në tabelën e renditjes. Tirana frenon kështu Partizanin, i cili tashmë shkon në 6 pikë diferencë nga Egnatia e vendit të parë. Më poshtë ndiqni intervistat e dhëna për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Abilaliaj (Partizani): “Nuk jam i kënaqur. Jam i keqardhur për mënyrën se si rrodhën gjërat, sidomos në pjesën e dytë. Por derbin nëse nuk mund ta fitosh, e mira është të mos e humbësh. Një pikë nuk është se na bën punë, duhej të merrnim tre pikët. Rezerva shumë të mëdha kam me arbitrimin. Lojë efektive u luajt vetëm 20 minuta në pjesën e parë. Të paktën tre lojtarë ndoshta nuk do ishin në fushën e lojës nëse do ta nisja ndeshjen nga fillimi”.
Ahmataj (Tirana): “Derbit janë gjithmonë të vështirë. E kishim studiuar mirë kudnërshtarin. Skaudra po ngrihet në nivel. Ajo që më pëlqen është loja e skuadrës. Patëm shumë raste që duhet t’i kishim shënuar. Jam i mërzitur, sepse duhet t’i kishim dërguar tifozët të kënaqur maksimalisht në shtëpi, po ashtu edhe familjet tona. Por kështu është futbolli, një rast pati kundërshtari dhe na shënoi. Duhet të ketë gjithmonë presion, pasi kështu mund të rrisim performancat”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/