Tirana ka kryer ndryshime në kupolën drejtuese në këtë sezon të ri. Orges Shehi është larguar nga stoli i trajnerit për t’i lënë vendin Julian Ahmatajt. Ndërkohë edhe Tefik Osmani ka lënë detyrën e drejtorit sportiv, për ushtruar të njëjtin pozicion në klubin e Vllaznisë. Presidenti i Tiranës ka thyer heshtjen dhe ka folur në lidhje me këtë çështjë në një intervistë me Sabina Meten në “RTSH”. Refik Halili ka vlerësuar punën e bërë nga Osmani në klubin bardheblu, por shton se si ai edhe Shehi, nuk do të gjejnë në vend tjetër një president aq tolerantë sa ai vetë.
“Tofiku (Osmani) është komshiu im, siç është edhe Juli (Ahmataj). Unë kam bërë një bisedë që në hapat e para, qoftë me njërin, qoftë me tjetrin. I kam thënë: ‘Meqenëse jemi edhe fqinj, jemi bërë edhe pak më shumë seç kemi qenë miq. Nëse juve ju del një variant më i mirë seç është ajo që ju kam propozuar unë, ju jeni të lirë të shkoni të shikoni interesat e familjeve tuaja’. Tefiku ka bërë mirë, ka punuar goxha mirë. Ka qenë i saktë në atë që është munduar të bëjë. Jam i kënaqur. Në fund fare, zgjedhjen e vendosi ta bëjë vetë.
Ajo për mua nuk ishte e mirë. Ishim në një periudhë kur nuk ishim mirë dhe nuk jemi mirë. Megjithatë, unë jam natyrë që i përballoj këto, sepse kam kaluar situate edhe më të vështira në jetë. Unë e kam bindje absolute, as Refik Halilin nuk e gjen më. Do ta shikojmë, koha do ta tregojë. Këtu do të jemi. Jo se nuk ka burra më të mirë se mua, se ka sa të duash burra më të mirë. Por toleranca ime ka qenë e jashtëzakonshme për të dy palët, qoftë për Osmanin, qoftë për trajnerin Shehi”, ka thënë Refik Halili./Halit Delibashi-Sport Ekspres/