Arlind Ajeti është padyshim një prej mbrojtësave më të preferuar të tifozëve. Tashmë ky lojtar po ngrihet në lartësinë që ka qenë në Europianin e Francës. Në një intervistë për “Koha Shtesë”, mbrojtësi ka dhënë një rrëfim të plotë ku ka komentuar shumë gjëra, për ta nisur me atë dalje në minutat e fundit te Francë-Shqipëri. E menjëherë sapo Ajeti doli nga fusha, Shqipëria do ta pësonte. (Intervistën e plotë të Arlind Ajetit në Koha Shtesë e gjeni në videon më poshtë).
“Ndodh shpesh që tifozët më pyesin: “Pse e le fushën kundër Francës në fund?”. Në atë moment, nuk mund të qëndroja më në fushë. Kisha dhënë maksimumin, nuk kisha më fuqi. Duhej të dilja, nuk kisha zgjidhje tjetër. Mua më ka ngelur peng, kam menduar shumë herë që të rrija deri në fund. Sidomos pas asaj ndeshje isha shumë i dëshpëruar pasi nuk mungonin edhe shumë minuta. Por prapë kur i kthehem atij momenti dhe e mendoj, nuk kisha më fuqi për të vazhduar.
Këtu te Cluj, kishin parë disa video kur këndohej “Mora Fjalë” nga gjithë stadiumi. Më thanë: “Nuk ka mundësi, shqiptarët, gjithë këtë stadium dhe atmosferë? I thashë: “Nuk është asgjë kështu në video, duhet provuar në fushë”. Ata ishin të habitur edhe me rezultatet tona, megjithëse i dinë kualitetet tona se i kanë ndjekur disa lojtarë.
Emocionet e prindërve të mi? Po babai më ndjek rregullisht, që kur isha 8-9 vjec. Ai i shikon të gjitha ndeshjet e mia dhe mundohet që t’i shoh i ftohtë emocionalisht. E kam si një trajner të dytë, më tregon të gjitha anët e dobëta, gabimet e mia dhe pika e mia të fortë. Ndërsa mami ka shumë emocione, e përjeton shumë ndeshjen. Kur vij te Kombëtarja, ai ndodhet gjithmonë në stadium, është aty, po zëre se nuk e shikon ndeshjen fare, aq shumë e përfshirë është”, tha Ajeti.
Kulmi i karrierës së tij pas Europianit të Francës ishte kalimi te Torino. Sinisha Mihajlovic tanimë ka ndërruar jetë, por kushdo që e njihte nga afër këtë trajner, konfirmonte se nuk kishte një dashuri të madhe karshi shqiptarëve dhe vazhdimisht e shprehte. Në atë kohë Ajeti drejtohej nga Mihajlovic i cili nuk i dha asnjë hapësirë të vetme Ajetit, duke i mbyllur të gjitha dyert për ta lënë në stol. E teksa e pyesim nëse ndikoi pjesa e të qenit shqiptar me trajnerin serb, Mihajlovic, Ajeti tregon profesionalizmin edhe për shkak se Mihajlovic ka ndërruar jetë, duke kërkuar që të hesht, pa thënë shumë gjëra që mund të nënkuptohen mes heshtjes së Ajetit.
“Ndikoj pjesa e të qenit shqiptar te Torino? Nuk e di ta them saktë, të gjithë e njihnin Mihajlovic si ka qenë. Unë nuk kam bërë dallime, kam dhënë maksimumin tim. Isha edhe pafat, pas ndeshjes së parë të kampionatit u dëmtua dhe isha tre muaj jashtë. Edhe ajo ndikoi shumë, kur u ktheva isha si lojtar i ri. Tre muaj janë shumë gjatë për të qëndruar jashtë dhe kisha humbur pak besimin. Tani u ktheva prapë si kur isha në Europianin e Francës. Më shumë mendoi se ndikoi dëmtimi, ndoshta ndikoi edhe mentalisht pjesa e të qenit shqiptar te Torino, isha unë i vetmi shqiptar aty. Nuk mund ta them, Mihajlovic edhe ndërroi jetë dhe ndoshta nuk është mirë të flas shumë. Ka ndikuar pak edhe prejardhja, ka pasur pak diferencim nga trajneri, por më shumë unë do t’ia lë dëmtimit faktit që nuk eca dot te Torino”, tha Ajeti. /Sport Ekspres/