Komisioni i Disiplinës ka bërë të ditura vendimet sa i përket derbit mes Tiranës dhe Partizanit. Dy ekipet kryeqytetase kanë për të paguar dëmet, ndërsa e ka pësuar për ndezje flakadani edhe Gjelbrim Taipi.
- FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, si dhe lejimin e personave të paautorizuar për të hyrë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 17/2/a, 17/2/c dhe 17/2/f të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.
FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
- Lojtari i FK Partizani, Gjelbrim Taipi, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke ndezur flakadanë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, në bazë të neneve 3/d, 6/1/c, 6/4 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
- KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”, në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/f të KDE, dënohet me gjobë në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë.
KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
- KS Besa, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, në bazë të nenit 17/1/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- Lojtari i KF Sopoti, Erando Seferi, për sulm fizik ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 3 (tre) javë pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Turbina, Samet Gjoka, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) javë pezullim nga veprimtaritë.