Nga Ardi Fejzo
Pas triumfit ndaj Republikës Çeke kombëtarja kuq e zi renditet e para në grupin E të kualifikueseve “Euro 2024” dhe është vetem një hap larg Europianit i cili do të mbahet verën e ardhshme në Gjermani. Kuqezinjte kanë grumbulluar 13 pikë në 6 ndeshjet e zhvilluara deri më tani dhe ecin të sigurt drejt objektivit të këtij sezoni.
Emocionuese, elektrizuese dhe magjike ishte atmosfera në “Air Albania” mbrëmjen e së enjtes ku djemtë tanë arritën një sukses historik në përmbushjen e pritshmërive të të gjithë shqiptarëve.
Ndeshja nis ashtu sic edhe pritej. Sylvinjos nuk i pëlqejnë eksperimentet. Është besnik i lojtarëve që e kanë sjellë deri në këtë pikë. I vetmi ndryshim është hedhja në fushë e Ajetit pas dëmtimit të Ismajlit i cili fitoi balotazhin kundrejt Mihaj dhe Veselit.
E përmendi që përpara takimit se kjo ishte sfida më e rëndësishme për të si trajner i Shqipërisë. Besimin që iu dha lojtarëve iu shpërblye në mënyrën më të mirë të mundshme. Asani është xhevahiri të cilin të gjithë e kishin pranë, por asnjëri nuk guxoi ta ftonte në kombëtare. Ai ishte aty shumë pranë, në superligë tek Partizani, në Europë tek Kisvarda, por këto nuk mjaftuan. Do të duhej të kalonte në anën tjetër të globit në Kore 8500 km larg shtëpisë që kjo ftesë të vinte. Të dy janë me fat për njeri tjetrin. Më mirë vonë sesa kurrë. Asani i bëri të gjithë krenar.
U kritikua edhe për Seferin pas ndeshjeve të para, ku golat po mungonin nga krahu i tij dhe në një ekip kaq konkurrues si ky opsionet ishin të shumta. Por, pavarsisht të gjithave Sylvinjo tregoi besim të pa lëkundur tek Seferi duke lënë në stol lojtar shumë të rëndësishëm për kombëtaren dhe mbrëmja e së enjtes i dha të drejtë. Seferi nuk shënoi një, por dy. Vulosi ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij si futbollist dhe të Syvinjos si trajner. Që të jesh i suksesshëm në jetë duhet të guxosh. Sylvinjo e bëri, performancat dhe rezultatet po e mbështesin, ia doli. Të gjithë njerëzit i ka pas tij.
Sylvinjo, tashmë ka krijuar një identitet të ri në kombëtaren kuq e zi që shumë pak e mendonin dhe e besonin. Kjo kombëtare nuk ngjason me asnjë nga ato që kemi parë deri më tani. Ky futboll është totalisht ndryshe nga ai që ishim mësuar të shihnim. Nuk është thjeshtë sigurimi i një bilete për në Europian, është një revulucion i cili ka sjellë frytet shumë shpejt, në kohë rekord. “Air Albania” është kthyer në fortesën e Sylvinjos. Tre ndeshje dhe 3 fitore. Kundërshtarë të lehtë? Në fillim Moldavia, e më pas Çekia dhe Polonia. Llogaritë i bëni vet. Në Tiranë tashmë favorit jemi ne, jemi të zotët e shtëpisë. Aaa, edhe një sekret tjetër. Këtu luajmë me 1 lojtar më tepër. Është një makth për kundërshtarët ta fillojnë ndeshjen me një lojtar më pak. Tifozët tanë kanë qënë, janë dhe do të mbeten unikal. Thjesht mungonte ajo shkëndija që Sylvinjo ka ndezur dhe shpresojme të mos fiket kurrë…