Ballkani ka marrë një fitore historike, teksa ka mposhtur me rezultatin 2-0 Dinamon e Zagrebit në grupet e Ligës së Konferencës. Kjo disfatë ka lënë me fytyra të ngrysura kampin kroat, që nuk e fsheh aspak hidhërimin pas ndeshjes. Trajneri i Dinamos së Zagrebit ka pranuar humbjen gjatë konferencës së tij për shtyp, ndërsa në fund ka dhënë edhe sinjale largimi nga drejtimi i skuadrës.
“Humbja e merituar absolutisht! Ky nuk është niveli i Dinamos. I kërkoj falje gjithë publikut kroat dhe tifozëve tanë, sepse nuk e meritonin këtë. Unë marr përgjegjësinë i pari! Më falni, doja më të mirën! Ne kemi atë që kemi, provuam atë që mundëm, Ballkani ishte shumë më i mirë se ne sot. Atë që doja t’u bënim atyre, ata na e bënë neve. Kjo është humbja më e keqe në karrierën time, humbëm pa gjuajtje. Ndesja me Istrën pas tre ditës? Të shohim ç’do të ndodhë nesër“, ka deklaruar Sergej Jakiroviçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/