Ernest Muçi është lojtari i momentit te Legia Varshava. Sulmuesi shqiptar arriti të shënonte dy gola kundër Aston Villa duke u kthyer në heroin kryesor të polakëve. Sport Ekspres ka zhvilluar një intervistë me trajnerin që i besoi më së shumti Ernest Muçit te Tirana, Egbo. Ky i fundit nisi që ta aktivizonte sulmuesin nga minuta e parë për disa ndeshje dhe shpërblimi mbërriti, pavarësisht se te bardheblutë kishte jo pak konkurrencë në sulm. Egbo ka kujtuar një histori shumë të veçantë kur Muçi do të arrinte që të shënonte dy golat e Tiranës, në atë fitore 1-2 kundër Laçit në transfertë.
“Mesa më kujtohet, unë personalisht e kam aktivizuar Ernest Mucin në ndeshjen time të dytë te Tirana për 90 minuta, ka qenë 18 dhjetorit i 2019, luante Tirana kundër Flamurtarit në Selman Stërmasi. Ne fituam me shifrat 2-0 me golat e Bathës dhe Torasës. Kishim shumë mungesa në atë ndeshje për arsye dëmtimesh dhe lodhjes pas derbit me Partizanin. Kisha vetëm Mucin dhe Mario Beshirajn në atë ndeshje si zgjedhje dhe pas 4 ditësh luanim kundër Laçit, në 22 dhjetor 2019. Muci shënoi pikërisht në atë ndeshje kundër Laçit, e futa prapë. Ai i ka bërë dy golat që përmbysën ndeshjen, po humbisnim 1-0 dhe kthyem gjithçka me dopietën e Mucit.
Madje kam edhe një histori shumë interesante kundër Laçit. Unë kisha marrë lajmin nga fizioterapisti se për ndeshjen kundër Laçit, Ngo nuk ishte gati për të luajtur sepse e kishte këmbën e ënjtur nga dëmtimi në derbi me Partizanin. Atë ditë po binte një shi i madh në gjithë Shqipërinë dhe në një moment, rrugës për në ndeshjen kundër Laçit, i kam dërguar një mesazh në Whats App Ernestit: “A je gati për të luajtur?”. Menjëherë erdhi përgjigja: “Po, jam gati”.
Pastaj i shkruajta edhe Mario Beshirajt: “A je gati për të luajtur?’. Edhe Beshiraj më tregoi se ishte gati. Unë i shpjegova lojtarëve planin tim, se kur të arrijmë në fushën e Laçit, do të shohim gjendjen e fushës dhe nëse ajo do të ishte mirë, do të futej Ernest Muçi. Nëse fusha do të ishte me baltë, do të futej Mario Beshiraj. E si për ironi të fatit fusha ishte e mirë dhe Muçi luajti nga minuta e parë, duke bërë dy golat. Atë mesazh e kam akoma në telefonin tim të vjetër, por edhe Muçi mund ta kujtoj shumë mirë.
Nuk diskutohet që e prisja që në atë kohë që Ernesti do të shkonte larg në karrierë. Unë dhe stafi im e kemi këshilluar që të shtynte në maksimum, që ta merrte seriozisht karrierën. Kishim parë shumë talent te ai, gjuhën angleze e dinte mirë dhe mund të ambientohet lehtë në një shtet tjetër. Pra nuk jam shumë i befasuar nga Muci. Ai godiste me të dy këmbët njësoj, dinte të lexonte rivalët dhe dobësitë e tyre, ka lëvizje mashtruese, mund të gjuaj topin kur portieri nuk e pret dhe ka goditje si Kristiano Ronaldo.
Ju kujtohet goli në derbi me Partizanin, 5-1? Nuk ishte rastësi, ne si staf e dinim shumë mirë. Madje kur u mor ai faulli atje, i thashë Bathës që t’ia linte Ernest Mucit që ta godiste topin dhe dihet sesi përfundoi. Ai derbi nuk do të harrohet kurrë dhe nuk do të përsëritet”, tha Egbo. /Sport Ekspres/