FORCA TIRANA! Po mbajnë flamurin e nderit të Superiores në Europë, ja se çfarë vlen më shumë sesa një fitore apo barazim i bardhebluve

Ekipet shqiptare dolën në Europë dhe vetëm dy prej tyre arritën që të shkonin më tej, ato të kryeqytetit. Në fakt, vetëm Tirana arriti të kalojë turin pasi Partizani u eliminua nga Bate Borisov nga Champions League.

Për shkak se doli kampion i Superiores dhe për vetë formulën e garave europiane, më pas Partizani kaloi në turin e dytë të Conference League. E nga krahu tjetër Bate Borisov u shpartallua me shifrat 6-2 nga Arisi në turin e dytë të Champions League.

Pra deri tani, është Tirana ajo që po mban flamurin e nderit të Superiores, megjithëse Partizani ka shanse të mëdha për të bërë historinë dhe pse jo për të shkuar në grupet e Conference League, për shkak të shortit të lehtë. Por për të mbërritur deri aty, ka ende shumë punë për të bërë.

Tirana e Orges Shehit do të përballet sot në transfertë me Beshiktashin, në ndeshjen që fillon në orën 20:00. Pas dy ndeshjeve të bukura me Dinamon e Batumit, veçanërisht ajo e kthimit, është koha për të përballuar gjigandët e Turqisë.

Sot është një faktor që mund të vlejë më shumë sesa një barazim apo një fitore minimale e Tiranës. Fundja, nuk do të hynte në punë askujt. Një fitore minimale e ardhur për shkak të fatit dhe pa bërë asgjë mirë, nuk do të shërbente aq shumë. Kur luan ndaj një skuadre si Beshiktashi, shanset janë shumë të mëdha që edhe nëse e fiton ndeshjen e parë me rezultat minimal, të humbasësh në shtëpi me shifrat 0-3 apo 0-4.

Pak a shumë siç ishte situata e Ballkanit me Ludogorest që pasi fitoi në shtëpi 2-0, humbi në transfertë 4-0, atje ku nuk mund të kapnin dot topin në këmbë. E parë në këtë këndvështrim, sot vlen më shumë një humbje e shoqëruar me një lojë të bukur, mes kombinimeve dhe krijimeve të rasteve në portën kundërshtare të cilat janë për t’u komplimentuar, pa pasur ndjenjë inferioriteti, sesa një fitore e ardhur me qëndrimin në mbrojtje në gjithë ndeshjen dhe pa lidhur dot dy pasime së bashku.

Një gjë e tillë nuk u pa me Dinamon Batumin. Pasi u realizua goli i parë me Lushkjan, Tirana u tërhoq shumë mbrapa duke i lënë gjithë fushën gjeorgjianëve, pavarësisht se vetë lojtarët kishin mundësinë dhe aftësinë për t’i mbyllur sërish gjeorgjianët në portën e tyre dhe për të shënuar golin e dytë. Është koha për të ndryshuar një mëndësi futbolli dhe jo për të kërkuar një rezultat pozitiv të rastësishëm. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *