Partizani arriti të fitonte ndaj Atletic Escaldes me shifrat 0-1. Kampionët e Shqipërisë zhgënjyen opinionin sportiv dhe tifozët me mënyrën sesi u paraqitën në fushën e blertë, duke mos krijuar dot asgjë në transfertën e Andorrës. Në fund, të kuqtë iu falën dhuratës së madhe që bëri portieri i Escaldes, atje ku Mba nuk do të gabonte për të tundur rrjetën.
Për më tepër, te Escaldes u ndërrua trajneri dhe ishin rreth 10 lojtarë që zgjodhën të largoheshin, 5 nga të cilët ishin me vend titullari nga ndeshja e fundit që kishin zhvilluar në Europë. Përtej këtyre problemeve, Partizani arriti me shumë vështirësi që të gjente fitoren. Trajneri i ri i Escaldes, Daniel Tenedor, kishte bërë një punë fantastike në fare pak kohë. “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të intervistojë këtë teknik për të na treguar më shumë rreth ndeshjes së zhvilluar me Partizanin.
“Situata jonë para ndeshjes me Partizanin ishte dramatike. Por e vërteta është që jemi të lumtur me lojtarët e rinj dhe atë që treguan nga ndeshja e djeshme, e dëshmuan që janë në një nivel shumë të mirë. Mund të kishim dalë edhe me barazim nga kjo ndeshje. Partizani shkoi te porta jonë disa herë më tepër sesa shkuam ne te porta e tyre. Gabimi i portierit? Epo ju e keni parë që ne kemi rrezikuar në çdo moment dje. Partizani na bëri presing lart dhe më pas u kthye në mbrojtje kur ne e kapërcyem presionin. Nuk ka rëndësi gabimi, është portieri ynë. Në atë moment nuk kishte se ku ta pasonte topin. Ne shkojmë në Tiranë për ta fituar ndeshjen, Partizani e ka presionin. Ne jemi një ekip me buxhet shumë të vogël, që dje nuk u tregua. E kishim analizuar Partizanin në dy ndeshjet me Bate Borisov dhe e vërteta është se e dinim sesi ta dëmtonim. Fizikisht Partizani është një ekip impresionues, por nga ana taktike dhe taktike, nuk ishin po kaq të mirë për ne”, tha Tenedor.
Gjithashtu trajneri ka treguar se e ka analizuar shumë mirë Partizanin dhe ia di pikat e dobëta. Veçanërisht në mbrojtje, atje ku lojtarët e Partizanit nuk dijnë të ndajnë detyrat e tyre duke lënë zbuluar disa kundërshtarë. Në fund, Daniel Tenedor kishte një përgjigje edhe për Starovën i cili i quajti lojtarët e Escaldes “kamariera”.
“Ne jemi një skuadër me buxhet shumë më të ulët në krahasim me Partizanin. Trajneri i Partizanit kishte futur në fushë lojtarët e tij më të mirë përveç Da Silvës, që për mua është një nga lojtarët më të mirë që ka Partizani. I shpjegova lojtarëve të mi në pjesën e parë që Partizani na kishte nënvlerësuar. Kur rezultati ishte 0-0, kërkuam të dilnim përpara dhe të luftonim Partizanin. Shumë lojtarë të tanët dilnin të lirë në mbrojtjen e Partizanit dhe ne e dinim këtë, që kështu do të ishte. Po kërkonim që të mbanim topin dhe ta qarkullonim atë. Epo, këta kamarierët dinin sesi luhej futbolli shumë mirë apo jo?”, tha Tenedor. /Sport Ekspres/