Ka përfunduar me sukses misioni në Gjeorgji për Tiranën. Pas barazimit 1-1 në “Air Albania”, bardheblutë kanë mposhtur Dinamon e Batumit me shifrat 1-2 në transfertë. Kryeqytetasit kanë shënuar nga një gol në secilën pjesë, duke kryer me sukses detyrat e ngarkuara nga trajneri Orges Shehi.
I pari që e çoi topin në rrjetë ishte pikërisht ai që i dha barazimin nënkampionëve në ndeshjen e parë, Regi Lushkja. Mesfushori i Tiranës e ndal topin në rrjetë në minutën e 33-të, duke heshtur tifozët gjeorgjianë. Ndërkohë në pjesën e dytë, në minutën e 78, ishte Deliu ai që finalizoi me gol një askion të ndërtuar mirë të bardhebluve.
Një gol në që rezultoi vendimtar, teksa Kapanadze ngushtoi shifrat në minutën e 90, por pa mundur të ndryshojnë fatin e takimit. Tirana bëhet kështu i pari ekip i “Abissnet Superiore”-s që kalon turin në Europë. Tashmë ekipin e Shehit e pret një kundërshtar mjaft i vështirë, pasi do të përballen me Beshiktashin në turin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/