Partizani do të luajë mbrëmjen e nesërme, në orën 20:00, ndeshjen e kthimit kundër Bate Borisovit. Pas barazimit 1-1 në Tiranë, shanset për një kualifikim në turin e dytë të Ligës së Kampionëve janë të barabarta për të dy palët. Trajneri Zoran Zekiç ka folur në konferencë për mediat, ku është shprehur se këtë herë i pret një ndeshje tjetër nga ajo e jave më parë.
“E kam përmendur edhe në përfundim të ndeshjes së parë në Tiranë, që ky rezultat lë çdo gjë të hapur për sa i përket kualifikimit në raundin e dytë. Kemi luajtur vetëm aktin e parë. Nesër do të jetë një tjetër ndeshje. Duhet të kemi përqendrim maksimal dhe të fokusohemi të bëjmë ndeshjen tonë.
E theksova edhe më parë, që nesër do të jetë krejtësisht një ndeshje tjetër. Ne duhet të bëjnë një ndeshje dhe një paraqitje akoma më të mirë. Duhet të kemi më shumë karakter, më shumë energji dhe më shumë disiplinë.
Ndeshja do të luhet pa tifozë? Nuk mund ta ndryshojmë këtë gjë. Askush nuk e dëshiron që një ndeshje futbolli të luhet pa publik dhe për këtë më vjen shumë keq. Do të jetë një situatë e njëjtë si për ne, ashtu edhe për Bate Borisovin. Ne duhet të përgatitemi të luajmë edhe në situata të tilla”, ka deklaruar Zoran Zekiçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/