Pas organizimeve shumë të suksesshme të disa eventeve të rëndësishme europiane, që nga finalja e ‘ UEFA Conference League’ vitin e kaluar, te mbledhja e Komitetit HatTrick të UEFA-s, organizimi i CFM e turnetë e ndryshëm të moshave, Federata Shqiptare e Futbollit do të presë një tjetër event shumë të rëndësishëm në muajin tetor të këtij viti.
Në bashkëpunim me Federatën Gjermane të Futbollit, FSHF do të sjellë në Shqipëri edicionin e tretë të programit shumë të rëndësishëm ‘Future Leaders in Football’. Pas dy edicioneve të para të programit, të zhvilluara në Jordani dhe në Katar, ky program trajnimi kaq unik për profesionistët e rinj të futbollit do të mbahet në Shqipëri në datat 1-7 tetor.
Ky edicion do të fokusohet në formimin e lidereve të reja të ardhshme vajza nga mosha 18-29 vjeçe, jo vetëm nga Shqipëria, por nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi, Slloveni) dhe nga Ukraina.
Ky program ka si qëllim të nxisë bashkëpunimin dhe të zhvillojë aftësitë e të rinjve në ekosistemin e futbollit. Programi fokusohet jo vetëm në lidershipin, por edhe në rritjen e diversitetit, përfshirjes dhe qëndrueshmërinë brenda kontekstit të sportit. Të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndajnë përvoja, të mësojnë nga ekspertët e huaj që do të vijnë në Shqipëri dhe të zhvillojnë strategji për të trajtuar sfidat në mjediset e tyre përkatëse.
Organizimi i një programi kaq të rëndësishëm dhe të vlefshëm vjen falë marrëdhënieve shumë të mira të FSHF-së me Federatën Gjermane të Futbollit.