“Nuk duam të ndërtojmë një Vllazni sot për sot”, Plori tregon strategjinë në merkato: Nuk do të marrim lojtarë për të nxehur stolin

Elvis Plori ka dhënë një prononcim për kanalin zyrtar të Vllaznisë në “Youtube”. Drejtori sportiv i shkodranëve nlka folur që nga grumbullimi i skuadrës në Bosnje-Hercegovinë, ku po zhvillojnë fazën përgatitore për kualifikueset e Ligës së Konferencës. Plori ka shpjeguar strategjinë e ndjekur nga klubi në merkato dhe thekson se po punohet për të ndërtuar një projekt afatgjatë.

“Skuadra pothuajse ka marrë një farë forme. Ka pasur shumë largime. Është organizim i ri. Po ndjekim një strategji dhe një filozofi të re në skuadër. Kemi sjellë lojtarë me moshë relativisht të re dhe kemi lidhur kontrata afatgjata. Pra, do të ndërtojmë një Vllazni që të mos jetë një Vllazni sot për sot, por të ketë një jetëgjatësi në kontrata. Do të bëjmë një ansambël të ri lojtarësh, të cilët duhet të jenë të etur. Duhet të tregojnë se kanë ardhur për të dhënë më të mirën dhe të tregojnë se vlejnë për të luajtur futboll. Nuk dua që të marr lojtarë që të nxehin stolin. Lojtarët që do të afrohen te Vllaznia duhet të jenë lidera dhe lojtarë që vlejnë për të ardhmen”, ka deklaruar Elvis Plori./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *