“Albania, sigue bailando con la samba de Sylvinho”

Nga Klaudio Ndreca

“Je e bukur po aq sa Shqipëria braziliane e Silvinjos”. Duke filluar që nga tani, djemtë do të kenë një mënyrë alternative për t’i bërë vajzat për vete. Nëse më herët Brazilin e njihnim vetëm si një vend që ka femra joshëse, tani kuptuam që ka edhe trajnerë që fitojnë zemra tifozësh në kohë rekord, po aq tërheqës për publikun.

Vetëm një ndeshje mjaftoi që pas një zhgënjimi të madh, Silvinjo ta grumbullonte 22.000 tifozë shqiptarë për përballjen me…Moldavinë. Është trajneri që na ka risjellë pasionin dhe shpirtin, gjakun e ndezur dhe dëshirën për të luftuar me fanellën e Shqipërisë.

Kishte kohë që e kishim harruar Kombëtaren, gati-gati ishte kthyer si një ekip ku lojtarët ruanin energjinë për ndeshjet e tjera, diku jashtë Shqipërisë. Tre ndeshje dhe dy fitore! Kjo është statistika e këtij trajneri të ri. Shumëkush do të na përmendi Moldavinë dhe Ishujt Faroe, por nga ana tjetër, Çekia dhe Polonia po i qajnë pikët e humbura me Moldavinë.

Aq më tepër, një ekipi si Shqipëria që kishte 2 vite pa bërë 2 fitore radhazi, nuk i ka hije për të nënvlerësuar kundërshtar. Mënyra sesi i drejtohet lojtarëve, theksi dhe toni i zërit për një moment të kujton Pep Guardiolën. Gjuha e trupit po ashtu, në një moment gjatë ndeshjes me Ishujt Faroe, Silvinjo i dha një ilustrim lojtarëve sesi gjuhej topi me kokë drejt portës.

19 mundësi goli të krijuar me Ishujt Faraoe, 12 mundësi goli të krijuar me Moldavinë dhe 7 mundësi goli të krijuar me Poloninë në transfertë, ndeshja e parë debutuese. Kaq shumë, Shqipëria nuk e ka krijuar në historikun e dy viteve të fundit, Silvinjo e bëri të mundur në vetëm 3 ndeshje.

Në fare pak kohë kemi parë tjetërsimin e Asllanit, Bajramit, Muçit, kemi fituar Mitajn dhe Asanin. Këta lojtarë ishin po aty edhe në kohën e Rejës, por dukeshin thjeshtë…të fikur. Imagjinoni për një moment kur të kthehet edhe Armando Broja, konkurrenca është e madhe dhe stoli ynë do të duket i frikshëm, një ekip më vete që mund të përballet denjësisht me rivalë të tjerë.

Në vetëm dy ndeshje kemi parë dy super gola dhe lojtarë që mbiemri i tyre mund të marrë për një moment prapashtesë mëse legjitime: “Asaninho dhe Asllaninho”. Po flasim për poliglotin Silvinjo që flet në portugalisht me Adrian Bajramin, që flet në anglisht me Armando Brojën, që flet në italisht me Berat Gjimshitin, por në çdo rast është edhe përkëthimi në shqip, pasi gjuha e vendit nuk duhet humbur kurrë, ky ishte rregulli i parë i vendosur nga trajneri.

Kombëtarja ka nisur që të kërcejë në ritmin e sambës. I pyetur nga gazetarët nëse e kishte mësuar gjuhën shqipe, Silvinjo u shpreh me humor: “Kam nisur që të harrojë origjinën nga vij në Shqipëri, por gjuha shqipe është një nga më të vështirat në botë”.

Megjithatë ne e njohim fare mirë gjuhën që Silvinjo e di në majë të gishtave dhe me anë të saj shprehim gjithë emocionin e bukur të marrë në këto ditë nga Kombëtarja. “Albania, sigue bailando con la samba de Sylvinho”, “Shqipëri, vallëzo me sambën e Silvinjos”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *