Ka përfunduar në baraspeshë 1-1 derbi i kryeqytetit. Partizani kaloi i pari në avantazh në minutën e 53-të, kur Viktor Da Silva arriti të ndalte topin në rrjetë. Ndërkohë bardheblutë u kundërpërgjigjën në minutën e 81-të me anë të Deliut. Ky i fundit realizoi një gol mbresëlënës nga distanca dhe nxjerr Tiranën me një pikë nga “Air Albania”. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.
Shehi (Tirana): “Që ishte e vështirë, kjo ishte evidente, për shkak të mungesave dhe për shkak të presionit që duhet të përballonim. Mungesat që kemi duhet t’i rekuperojmë dhe jo të qajmë. Sigurisht që mungesat bëjnë të vetën. Kemi qenë në kontroll të lojës. Mendova që ishte një strategji e Partizanit, që në pjesën e parë do të qendronte pas dhe në pjesën e dytë do të sulmonte. Por nuk ndodhi kështu, Partizani priti edhe në pjesën e dytë. Kur pëson dhe kur shënon, situata mund të kthehet. Mendoj që Berisha ka bërë mirë, megjithëse ka minuta ta pakta. Në Kupë bëri mirë dhe fitoi besimin tonë, sepse çdo lojtar e ka në dorë vetë performancën e tij. Përveç lojtarëve të fushës, duhet të menaxhoja edhe stolin. Një pyetje kam, a ishte penallti apo jo? Ngaqë nuk u prek, se ishte një rast i rëndësishëm. Dora nuk është natyrale e hapur. Të paktën të kontrollohej. Ky ishte problemi për të qetësuar lojtarët pas pjesës së parë, pasi mendonin se u ishte ngrënë haku. (Drejtuar Ledio Panos) Kur ke qenë mbrojtës, ashtu shkojë ndërhyje me dorën hapur? ”.
Kolela (Partizani): “Mund të bënim shumë më mirë për sa i përket paraqitjes së skuadrës. Nuk ka qenë një paraqitje pozitive. Për të tjerat, mendoj që të barazosh me Tiranën nuk është një rezultat i keq. Ishte mirë të bënim një paraqitje më të gjallë, por gjëra të tilla ndodhin kur ke presionin e një derbi. Është një nga paraqitjet më zhgënjyese që kemi bërë. Në ato momente që bëmë atë që dimë të bëjmë, duhet të bënim më shumë. Pas shënimit të golit ndoshta jemi tërhequr pak më shumë seç duhet. Kemi shpërdoruar disa topa që mund t’i shfrytëzonim më mirë. Më pas erdhi goli i Tiranës. Rezultati është i lidhur me paraqitjen. Edhe ne kur kemi pasur mungesa, kemi zhvilluar paraqitje më të mira se sot. Meritë e kundërshtarëve, ishin më të zotë se ne”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/