Nuk ka fitues në “Air Albania”. Derbi i zjarrtë i kryeqytetit ka përfunduar në baraspeshë 1-1. Në një stadium të mbushur me tifozë dhe me një atmosferë fantastike, lojtarëve nuk u mbetej gjë tjetër veçse të shtonin hijeshinë e kësaj sfide me lojën e tyre në fushë. Pjesa e parë ishte më e qetë dhe e kontrolluar nga të dy ekipet, ndërsa e dyta nisi me një tjetër ritëm.
Viktor Da Silva e dëshmon formën e tij mjaft të mirë edhe në derbi. Seria e tij e golave vazhdon edhe ndaj Tiranës, kur në minutën e 53-të kombinohet bukur me Mbanë dhe me një diagonale mposht Visar Bekajn. Një gol që entuziasmon stolin e Partizanit dhe ngre peshë tifozët e “demave të kuq”.
Por kur dukej se Partizani do të dilte me tre pikët nga stadiumi, del në skenë Ardit Deliu. Mesfushori i Tiranës godet nga një distancë prej 30 metrash, duke lënë të shtangur Rexhepin. Një gol spektakolar që në fund i shpëton sezonin bardheblive, të cilët vijojnë të mbeten në krye të tabelës së renditjes. Derbi i kryeqytetit lë të ndezur garën për titullin kampion, pasi diferenca tashmë mbetet të jetë 2 pikë mes Tiranës dhe Partizanit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/