Tirana do të përballet kundër Partizanit në derbin që sipas të gjitha gjasave, vlen titullin kampion. Bardheblutë janë me dy pikë avantazh ndaj rivalëve të përjetshëm, por nga ana tjetër kanë jo pak presion. Për shumicën e kampionatit ishin duke kryesuar renditjen dhe me një humbje në dërbi do t’ia linin fronin Partizanit, pak javë para mbylljes së Superiores.
Sport Ekspres ka intervistuar ish-trajnerin kampion të Tiranës, Egbo. Ky i fundit shprehet se Tirana është favorit në këtë derbi, nisur edhe nga fjalët e Kolelës më herët se nuk po drejton një skuadër që është gati për titull.
“Unë mendoj se Tirana është më e avantazhuar sepse janë dy pikë diferencë me Partizanin. E kam thënë edhe më para se Tirana ka si kundërshtar veten dhe jo më Partizanin apo ekipet e tjera. Tirana ka ekip më të mirë se Partizani, nuk janë vetëm fjalë boshe këto nga unë. Vetë trajneri i Partizanit ka thënë se ekipi i tij nuk është në gjendje të fitojë kampionatin, pësojnë gola me lehtësi në mbrojtje pasi hoqën Bitrin dhe sulmuesin kryesor në dhjetor.
Po përdorin Telushin si mbrojtës tani, pa hequr meritat e Telushit që po jep maksimumin në çdo ndeshje, por prapë nuk luan në pozicionin e vet dhe kjo krijon herë pas here keqkuptime dhe gabime në mbrojtje. Megjithatë Partizani ka bërë mirë deri tani në kampionat dhe po lufton me Tiranën akoma. Këshillë për Orges Shehin? Nuk mundem ti jap pasi nuk jam brenda ekipit për të ditur në çfarë gjendje janë lojtarët, pra nuk kam asnjë këshillë. Ai e njeh ekipin e tij më mirë se çdo njeri tjetër”, tha Egbo. /Sport Ekspres/