Aurelio De Laurentis ka korrur sot suksesin e investimit të gjatë që ka bërë në klubin e Napolit. Presidenti i të kaltërve ka shijuar titullin e parë kampion të Serisë A, por nuk ka ndërmend të ndalet me kaq. De Laurentisi ka folur për “Sky Sports” pas ndeshjes me Udinezen, ku është shprehur se synon të ketë 200 milionë tifozë në mbarë botën në të ardhmen.
“Napoli i përket të gjithëve, ka kritika, ato janë legjitime, por unë kam qenë gjithmonë fitues në jetë. Kam ndjerë dëshirën për të buzëqeshur. Në Itali kemi 10 milionë fansa dhe në botë, vetëm atë perëndimore, 83 milionë. Por po rritemi, në Kinë na ndjekin, edhe në Gjeorgji, në Kore me Kimin nuk do t’ju them se çfarë ndodh. Së shpejti ne mund të bëhemi me 200 milionë tifozë në botë”, ka thënë Aurelio De Laurentisi.
Ndërkohë, presidenti i Napolit ka folur edhe për mikrofonin e “DAZN”-it, ku ka konfrimuar Spaletin në krye të pankinës dhe shpalos një tjetër objektiv, Ligën e Kampionëve. “Luçiano Spaleti do të qendrojë këtu. Projekti ynë nuk do të ndalojë këtu. Është vetëm fillimi. Ne duam të fitojmë përsëri, dhe përsëri, dhe përsëri dhe pastaj është Liga e Kampionëve”, ka deklaruar Aurelio De Laurentisi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/