Liverpool-i ka marrë një fitore të vuajtur kundër Tottenham-it mbrëmjen e djeshme. Goli që fiksoi shifrat në 4-3 u shënua pak sekonda para fundit të lojës, duke e bërë më emocionuese sfidën. Jurgen Klopp ka qenë i zhgënjyer me arbitrimin e kësaj përballjeje dhe nuk e ka fshehur pakënaqësinë e tij në intervistën e dhënë pas ndeshjes. Trajneri gjerman ka lëshuar kritika për gjyqtarin Tierny, ndërsa zbulon se ky i fundit i ka thënë fjalë të papërshtatshme në momentin që e ka ndëshkuar me karton të verdhë.
“Ne kemi një histori, historinë tonë. Por vërtetë nuk e di se çfarë ka zoti Tierny me ne. Nuk e kuptoj këtë. Nuk jam i sigurt nëse jam unë, sepse nga mënyra se si më shikon mua… Nuk e kuptoj. Nuk kam probleme me asnjë njeri, madje as me atë. Ai ishte arbitër në Tottenham kur Harry Kane nuk mori karton të kuq. Unë e dua këtë lojtar (Kane), çfarë lojtari që është, i çmendur. Nuk dua që ai të ndëshkohet me karton të kuq, por ishte për karton të kuq në atë ndeshje. Pyesni zotin Tierny, askush nuk e ka pyetur atë, sepse në Angli nuk duhet të sqarojnë situatat. Është e vështirë për t’u kuptuar. Sa për festimin tim përpara arbitrit të katërt, unë nuk thashë asnjë fjalë të keqe, por nuk ishte i nevojshëm. U ndëshkova menjëherë për atë. Tërhoqa muskulin, kështu që është e drejtë. Por atë që më tha ai pasi mora kartonin e verdhë… Jo, kjo nuk është e mundur. Absolutisht që nuk është e mundur”, ka thënë Jurgen Klopp-i./Halit Delibashi-Sport Ekspres/