Xhuliano Skuka nuk po gjen dot hapësira te Metz. Në ndeshjet e fundit trajneri Boloni ka zgjedhur që sulmuesi shqiptar të stërvitet me ekipin e dytë. Kjo pasi ndeshjet e fundit janë si finale për Metz që po kërkon ngjitjen në Ligue 1.
Duke marrë parasysh faktin se Skuka nuk ka arritur ende të ambientohet me ekipin, hedhja e tij në fushë është eksperiment i rrezikshëm. Por kjo nuk do të thotë se ish-lojtari i Partizanit është jashtë planeve të klubit. “A do të jetë Skuka një befasi e bukur për sezonin tjetër?”. Kjo është pyetja e bërë nga media franceze “Score.fr”.
Në të thuhet se Skuka do të ketë më shumë kohë për të fituar besimin e trajnerit dhe për t’u rritur në ndeshjet miqësore që do të bëjë Metz përpara nisjes së sezonit të ri, pasi në këtë aktualin, transferimi i merkatos së dimrit rezultoi zhgënjim. /Sport Ekspres/