Egnatia është surpriza e vërtetë e këtij sezoni. Rrogozhinasit aktualisht renditen të tretët në klasifikim, ku për herë të parë në historinë e tyre mund të sigurojnë një vend në kompeticionet e UEFA-s. Por ecuria për skuadrën nga Rrogozhina ka qenë me dy fytyra përgjatë sezonit.
Nëse për shumicën e ekipeve ndeshjet në shtëpi janë një shtysë për të siguruar suksesin, për Egnatian duket se përbën pikën e tyre më të dobët. Në 15 përballje në Rrogozhinë, jeshilzinjtë kanë grumbulluar vetëm 18 pikë, që së bashku me Bylisin, i bën ekipin me më pak pikë të fituara në shtëpi.
Në krahun tjetër Egnatia ka ditur të jetë e frikshme në transfertë. Në 15 ndeshjet e zhvilluara jashtë shtëpisë, rrogozhinasit kanë grumbulluar plot 25 pikë. Vetëm Tirana ka mundur të grumbullojë më tepër, 28 të tilla. Nëse kampionati do të zhvillohej në transfertë, duket se Egnatia do të ishte një nga kandidatet për titullin kampion në “Abissnet Superiore”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/