Legjionarët/ Seferi, Vrioni e Cikalleshi nuk dinë të ndalen, realizojnë pesë gola në kampionatet respektive

Fundjava që sapo lamë pas pa shumë nga futbollistët e Kombëtares shqiptare të zbrisnin në fushë e të jepnin kontributin e tyre me ekipet ku aktivizohen.

Madje, tre prej sulmuesve shqiptarë, Sokol Cikalleshi, Taulant Seferi dhe Giacomo Vrioni lanë gjurmët e tyre në ndeshjet respektive, duke shënuar edhe gola. Seferi duket në një formë mjaft të mirë në kampionatin ukrainas me ekipin e Vorskla Poltavës, teksa të shtunën realizoi një dopietë, ndërsa dhuroi edhe një asist.

Sulmuesi kuqezi i realizoi të dy golat nga pika e bardhë e penalltisë. Sakaq, edhe Giacomo Vrioni i dha tre pikë mjaft të rëndësishme skuadrës së tij në kampionatin amerikan. Djaloshi shqiptar realizoi dy gola në harkun kohor të katër minutave, ndërsa e ka çuar në gjashtë numrin e golave të shënuar për New England Revolution deri më tani.

Ndërkaq, edhe sulmuesi tjetër i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi vazhdon me formën e tij të mirë, ku përveç 8 golave të realizuar në kampionatin dhe Kupën e Arabisë Saudite, ka gjetur sërish rrjetën edhe në takimin miqësor që skuadra e tij Al-Khalej ka fituar 2-0 ndaj Al-Qadsiah.

Edhe futbollistët e tjerë të kombëtares shqiptare po kalojnë një formë mjaft të mirë me klubet respektive ku pjesa më e madhe e tyre janë aktivizuar si titullarë në skuadrat e tyre, si: Ismajli, Hysaj, Balliu, Mihaj, Veseli, Abrashi, Gjasula, Ramadani, Bare, Bajrami, Asani e Uzuni, ndërsa minuta pati edhe për mesfushorin kuqezi të Interit, Kristjan Asllani, në sfidën ndaj Empolit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *