Armand Duka ishte i ftuar në studion e emisionit “Zonë e lirë“, të transmeruar në “ABC“. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka shtruar në bisedë çështjen e legalizimit të basteve. Kreu i FSHF-së kërkon që të ketë një ndarje në përqindje të përcaktuar në ligj për sa i përket buxhetit që do të shpërndahet për sportin dhe kulturën. Aktualisht projektligji parashikon që ndarja e buxhetit që do të grumbullohet nga taksat mbi bastet sportive do të përcaktohet nga një komision i përbërë nga Ministria e Arsimit, Ministria e Financave, KOKSH-i dhe FSHF-ja.
“Kam qenë një nga iniciatorët që kam kërkuar që bastet të legalizohen. Kanë qenë një aktivitet që nuk është ndërprerë kurrë. Është ndërprerë juridikisht, por faktikisht kanë ekzistuar. Duke qenë se kanë ekzistuar, buxheti nuk ka marrë asnjë lekë. Askush nuk ka marrë taksa nga ato baste. Ne kemi kërkuar që të formalizohet dhe të ardhurat e atij aktiviteti, që sot shkojnë në të zezë, të shkojnë për të mirën e shoqërisë dhe të ndahen për sportin. Tashmë është premtuar dhe është bërë edhe projektligji për bastet sportive online.
Projektligji parashikon që fondet do të ndahen nga një komision i përbërë nga Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Komiteti Olimpik Shqiptar dhe Federata e Futbollit. Ne faktikisht kemi bërë një lloj oponence. Kemi kërkuar që këto fonde të mos jenë në dëshirën e një komisioni apo në vullnetin e atij komisioni se si t’i ndajë, por të parashikohen me një VKM apo ligj sa nga këto fonde do të shkojnë në sport, sa nga këto do të sportit do të shkojnë në futboll. Sepse nëse do të lihet në dorë të një komisioni, të përbërë qoftë nga presidenti i KOKSH-it, Federatës së Futbollit, apo Ministrit të Arsimit, varet nga humori i tyre në mëngjes. Ajo që ne sugjerojmë është që të dihet se sa nga ky buxhet do të shkojë maksimalisht për kë, sepse është kultura dhe sporti.
Ne kemi një eksperiencë negative faktikisht. Ne kemi një buxhet jashtëzakonisht shumë modest për sportin, që vendoset dhe ndahet nga një institucion që quhent Ministria e Arsimit dhe që Federatën më të madhe në vend, që ka numër sportistësh 10 herë më të madh se të gjithë të tjerët së bashku, i jep 0 fonde, ndërsa Federata që kanë 3 sportistë marrin 10, 20, apo 25 % të fundit. Pra varet nga humori disa njerëzve. Unë them që të mos varet nga humori i disa njerëzve, por të jetë e sanksionuar se sa përqind i takon kujt”, ka thënë Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/