Me shiritin e kapitenit në krahë, Taulant Xhaka ka bërë një nga arritjet më të mëdha në karrierën e tij. Mesfushori shqiptar ka udhëhequr Bazelin drejt gjysmëfinales të Conference League pasi eliminuan Nice. Festa e madhe shpërtheu në Zvicër, teksa Xhaka e ka lënë Kombëtaren prej disa kohësh.
Tani koha te Shqipëria është thuajse e harruar për këtë mesfushor. I pyetur nga një gazetar zviceran në ditën e djeshme pas fitores me Nice se ku e fut këtë ndeshje në momentet e tij më të mira të karrierës, duke pasur parasysh eksperiencën e madhe në arenën europiane, Xhaka nuk kujton aspak kohët me Shqipërinë.
“E fus në tre momentet më të mira këtë ndeshje me Nice. E kam thënë gjithmonë që ndeshja kundër Liverpulit është e para për mua. E dyta, më lini pak kohë të mendohem…Jo, le të themi që kjo ndeshje me Nicen sot është momenti i dytë më i mirë për mua në Europë”, tha Xhaka. /Sport Ekspres/