“Më fal trajner, të kam lënë në baltë”! Fjalët e sinqerta të Kristal Abazajt, dy golat e bëjnë Orges Shehin që t’ia pranojë kërkesën…

“Dua t’i kërkoj falje trajnerit, e kam lënë në baltë në këto momente vendimtare, jo nga qejfi, por nga halli, se kam qenë i dëmtuar”. Kështu u shpreh Kristal Abazaj vetëm pak ditë më parë në një rrëfim për emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News”.

Sulmuesi ka ndryshuar dhe kjo vihet re. Vitet e kaluara mbi supe i kanë dhënë pjekuri të madhe. Nëse do të ishte me këtë kokë të ftohtë edhe në Anderleht, me siguri që Abazaj do të gjendej mes pesë kampionateve më të mira sot në Europë.

Por të gjithë mësojnë nga gabimet dhe “Kristali” do të marrë vlerë sërish te Tirana. Pas kërkimit të ndjesës për Shehin vijnë dy gola kundër Egnatias. Ishte momenti vendimtar kur bardheblutë i morën tre pikët për shkak të Abazajt dhe tani janë më të qetë nga Partizani, kanë krijuar më tepër shkëputje. Me siguri që bardheblutë do të kenë një armë shtesë deri në fund të këtij kampionati për ta vrarë garën përpara kohe.

Abazaj ka fituar besim, por ndryshe nga më parë, ka kokën e ftohtë për të bërë diferencën dhe nuk do të kalojë asnjëherë në vetkënaqësi. Këto dy gola ishin thjesht një zhbllokim psikologjik për të. “Po më duket ky goli i parë që do të shënojë për Tiranën si goli i parë në karrierë”, tha mes të tjerash po në intervistën e “Sport Magazine” lojtari i bardhebluve. Me siguri që Shehi ia ka pranuar kërkesën e faljes dhe tani fërkon duart për futbollistin që fitoi së fundmi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *