Igli Tare ka folur për “Sky Sport“ përpara nisjes së përballjes së sotme mes Specias dhe Lacios. Drejtori sportiv i bardhekaltërve ka bërë të qartë se vendi i dytë është objektivi i klubit për këtë sezon. Ish-sulmuesi shqiptar tregon rritjen e madhe të Lacios në 10 vitet e fundit, ku po garon për një vend në Ligën e Kampionëve. Çelësi i suksesit sipas tij është organizimi dhe planifikimi.
“Është e kotë të nënvizosh se sa e rëndësishme do të ishte të përfundojmë në vendin e dytë. Është një objektiv i vendosur në fillim të sezonit. Krahasuar me vitin e kaluar, skuadra ka bërë një hap tjetër përpara sa i përket organizimit. Kemi numra të rëndësishëm, ne jemi mbrojtja më e mire. Ky objektiv është thelbësor për rritjen e projektit të Lacios.
Është një rrugëtim i gjatë, i cili fillon nga larg. Ne i kemi pasur gjithmonë llogaritë në rregull dhe kemi krijuar një grup konkurrues si brenda dhe jashtë fushës. Në presidencën 19-vjeçare të Lotitos, duhet theksuar se ky klub ka qenë gjithmonë në rritje dhe shifrat e dëshmojnë këtë. Në 10 vitet e fundit, deri në 4-5 ndeshjet e fundit të ligës, ne luftuam për të arritur në Ligën e Kampionëve. Më kujtohet ndeshja kundër Interit që humbëm në ditën e fundit në sezonin 2017/18. Për rritjen e një klubi duhet planifikim: ka qenë gjithmonë aty për ne, jemi në rrugën e duhur”, ka deklaruar Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/