Interi mori një fitore të rëndësishme në Lisbonë, ku mposhti Benfikën me rezultatin 0-2. Por fitorja e zikaltërve nuk i tremb portugezët. Mesfushori i Benfikës, Chiquinho, ka folur për mikrofonin e “CNN Portugal” pas ndeshjes. Chiquinho beson te përmbysja në Milano dhe këtë e bën të ditur edhe përpara kamerave.
“Ne e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë, kundër një ekipi cilësor. Ne kishim shanset tona për të shënuar dhe nuk i shfrytëzuam. Interi arriti të shënonte dy gola, por asgjë nuk është e humbur. Ne do të shkojmë në Milano dhe do t’i japim gjithçka për të fituar. Nëse ata kanë shënuar dy gola këtu, ne mund të shënojmë dy ose tre në ndeshjen e dytë. Ekipi mbetet i sigurt. Ne patëm një sezon të shkëlqyer dhe dy humbje nuk do të na trondisin. Sigurisht që jemi të trishtuar, nuk duam të humbim dhe jemi mësuar të fitojmë”, ka thënë Chiquinho./Halit Delibashi-Sport Ekspres/