5 minutat e Vllaznisë që nuk ishin parë as në 5 ndeshje bashkë! Ja pse Alban Xhaferi “e goditi” me Sedloskin, nëse do të ishte një testim në shkollë…

Nga Klaudio Ndreca

Vllaznia e këtij sezoni ishte histori e një filmi të përsëritur, ku fundi dihej pa ardhur. Që në javët e para të sezonit kemi shkruar se kjo skuadër, edhe kur ndodhej në ekstazën e fitoreve të kryeqytetit, është larg titullit kampion. Vllaznia e Mirel Josës ndizej vetëm kur para saj kishte Tiranën ose Partizanin.

Vetëm në ato momente shfaqej përpara një ekip që kërkonte të fitonte me të drejtë titullin kampion, ndërsa në takimet e tjera, hera herës luante edhe si një skuadër mbijetese. Këto luhatje të mëdha janë pasqyruar edhe në rezultate. Drejtuesit e klubit vendosën që ta ndërprisnin bashkëpunimin me Josën, megjithëse pak kohë kanë humbur duke parë objektivin që kishin dhe situatën sesi po shkonte gjendja.

Për të ardhur te Miloti, ku shumë shpejt u kuptua se për vetë lojtarët ishte po njësoj si të ishin me Josën si trajner. Asnjë grintë dhe dëshirë e shtuar, madje as pak më tepër sa për t’i bërë përshtypje trajnerit të ri që të zinin një vend në formacion për ndeshjen e radhës. Miloti vazhdon filozofinë e Josës dhe kjo e penalizoi edhe në syrin e sportdashësve.

Për të kaluar te Sedloski që në 90 minutat e para duket një super goditje e Alban Xhaferit. Më herët ky trajner ka drejtuar Shkupin me mjaft sukses duke marrë 2 pikë për ndeshje, një mesatare fantastike për një teknik, ndërsa kohën e artë e ka pasur te Vardari duke grumbulluar 2.27 pikë për ndeshje.

Në pesë minutat e para kundër Erzenit, Vllaznia ka prodhuar aq shumë raste sa nuk i kishte krijuar në 5 ndeshjet e fundit të mbledhura bashkë. Ishte një ekip që të mbante të ndezur, një ekip që të shkaktonte kureshtje për ta parë dhe nuk të fuste “në gjumë”. Kombinimet e bukura mes lojtarëve dhe idetë e tyre për të dalë te goli treguan menjëherë se diçka kishte ndryshuar në ekip, megjithëse kishte vetëm pak kohë në dispozicion. Për më tepër që Vllaznia e tregoi këtë fytyrë ndaj Erzenit, jo me Tiranën dhe Partizanin.

Nëse kjo provë e Sedloskit do të ishte një testim në shkollë ku në këtë lëndë të re ka njohuri të kufizuara, do të merrte notën 10 për vetë mënyrën sesi iu përgjigj me konceptet e tij. Futbolli shqiptar dhe ai i Maqedonisë së Veriut ndryshon, por topi flet në të njëjtën gjuhë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *