Kursi për formimin e fizioterapistëve i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit vijon në fazën e tretë, me një sërë temash dhe lektorësh të përfshirë në këtë program mjaft cilësor e që vazhdon të rrisë nivelin e mjekësisë sportive në Shqipëri.
Programi i përgatitur nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF ka një kurrikul të pasur dhe trajton një gamë të gjerë problematikash që hasin futbollistët gjatë karrierës së tyre, me kursin që ka nisur në janar dhe do të zhvillohet për disa muaj me radhë për t’u përmbyllur me provimet finale në muajin korrik 2023.
Një nga lektorët e këtij edicioni ishte edhe mjeku osteopat-kiropraktik i Kombëtares, Arjan Llaperi, i cili përveçse ka përfunduar Master Shkencor në Fizioterapi pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, zotëron edhe Master në Osteopati Kiropraktik dhe Agupunturë pranë Spitalit Tongren Shangai në Kinë.
Llaperi pati mundësi të ndante me pjesëmarrësit njohuritë dhe eksperiencën e tij të gjatë në fushën e fizioterapisë dhe mjekësisë sportive, teksa duke folur për Fshf.org në lidhje me temat e diskutuara thekson se është tejet e rëndësishme që kujdesi për shëndetin e futbollistëve dhe zhvillimin logomotor të nisë që në moshë të vogël, e që fëmijët të mësojnë të vrapojnë në mënyrën e duhur. Duke bërë këtu do të mund të shmangen dëmtimet eventuale dhe janë lojtarët do të jenë më efikasë në vrapim.
“Ishte kënaqësi të isha dhe unë pjesë e këtyre leksioneve për të dhënë dhe unë kontributin tim në drejtim të osteopatisë dhe kiropraktik, që është një fushë mjaft e domosdoshme për mbarëvajtjen e shëndetit sportiv të futbollistëve, jo vetëm të ekipeve Kombëtare, por edhe të fizioterapistëve që frekuentojnë këtë kurs e që punojnë në ekipe të ndryshme. Sepse kemi parë që fëmijët, të rinjtë apo të rriturit nuk vrapojnë siç duhet, pra baza merret tek ekipet e moshave dhe ne si osteopat, si kiropraktik, si fizioterapistë duhet t’i vëmë shumë rëndësi këtij zhvillimi logomotor të fëmijëve në mënyrë që ata për një vrapim për shembull 10 kilometra të harxhojnë sa më pak energji, por mbi të gjitha të mos dëmtohen, të ruajnë shëndetin apo kaviljet, gjunjët, artikulacionin koksofemoral, por edhe shtyllën kurrizore. Dhe kjo arrihet në bashkëpunimin midis fizoterapistit dhe përgatitësit atletik. E fundit pastaj vjen taktika apo loja”, – tha Llaperi, duke nënvizuar rëndësinë e kurseve të mjekësisë sportive dhe të fizioterapisë që do të kenë një peshë të rëndësishme në zhvillimin e futbollit shqiptar në të ardhmen.
“Pra, duhet ta nisim në fillim nga shëndeti, të rrisim sportistë të shëndetshëm, gjë që realizohet edhe nëpërmjet këtyre kurseve, të rrisim nivelin e zhvillimit profesional të fizoterapistëve që të ruajmë shëndetin e sportistëve, por ta çojmë edhe sportin e futbollit shqiptar në majat më të larta, atje ku i takon në rang europian dhe botëror. Ne si promotorë, ne që punojmë këtu duke qenë pjesë edhe të ekipeve Kombëtare, djem dhe vajza, do të afrojmë edhe fizioterapistë të tjera nga klubet në mënyrë që kjo qendër të shkojë në nivele më të larta dhe jo të jetë vetëm për 2-3 ekipe, por të jetë për të gjitha ekipet. Duhet nisur puna që nga moshat pasi që atje fillon e krijohet filizi i ri për të arritur më pas deri në Kombëtare. Kur vijnë në kombëtare lojtarët i kanë krijuar tashmë shprehitë e lëvizjes, logomotore dhe ne na mbetet vetëm t’i mirëmbajmë, ndërsa kur i japim theksin te mosha do të vijnë në formën e duhur”, – theksoi mjeku osteopat-kiropraktik i Kombëtares.
Ky kurs këtë herë përkon edhe me inaugurimin e qendrës së fizioterapisë në Shtëpinë e Futbollit, një qendër moderne që do t’i shërbejë të gjitha ekipeve kombëtare dhe do të jetë një derë e hapur për të gjithë fizioterapistët që formohen në kurset e FSHF dhe duan të thellojnë njohuritë e tyre.
Sipas Llaperit, kjo qendër është një arritje e jashtëzakonshme që ofron kushte moderne, ndërsa jep edhe përshtypjet e lojtarëve të Kombëtares që u stërvitën për herë të parë në kompleksin e ri dhe u trajtuan në qendrën e fizioterapisë.
“Kaq shumë gjëra që janë bërë në kaq pak kohë, unë nuk di nga t’ia nis, sepse kemi krijuar një ambient të jashtëzakonshëm për Shtëpinë e Futbollit, nën kujdesin e Presidentit Duka dhe stafit të FSHF-së. Siç e shikoni kemi arritur në një mrekulli të vërtetë, që unë e kisha ëndërr e që u bë realitet falë bashkëpunimit nga të gjithë. Dua ta cek pak edhe pjesën e grumbullimit të parë të Kombëtares A, u ndje ai emocioni pozitiv që morën lojtarët nga ky ambient i mrekullueshëm, nga kushte moderne që nuk i lënë gjë mangët as komplekseve më të mira në Francë apo Angli. Duke pasur parasysh gjithë këtë strukturë me të gjitha pajisjet e duhura për ekipin Kombëtar dhe me ndikimin dhe iniciativën e doktor të Kombëtares, Gianluca Stesina, kemi organizuar edhe kurset sa i përket pjesës fizioterapeutike të fizioterapistëve të rinj të ekipeve të futbollit”, – theksoi Arjan Llaperi.