Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e nesërme ndaj Polonisë. E gjithë vëmendja e tifozëve shqiptarë do të jetë pikërisht në Varshavë, në atë transfertë. Ndërkohë në ditën e sotme, ka dalë në konferencën për shtyp trajneri Silvinjo dhe Cikalleshi. Në fillim ishte sulmuesi që foli për mediat.
“Ne duam të kthejmë shpirtin e garës për të marrë rezultatet e duhura. Polonia ka lojtarë individualist shumë të mirë, që luajnë në kampionatet më të mira të botës. Nuk mund të themi që kemi përballë një ekip të dobët. Duhet të jemi të gjithë kompakt, vetëm kështu mund të arrijmë rezultatet.
Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos pësojmë gol. Kryesorja është që të mos humbim, ne kemi strategjitë tona edhe për të fituar, por le t’ia lëmë fushës dhe të mos flasim para kohe. Duke qenë të gjithë bashkë, mediat dhe tifozët, me shpirtin e garës që ne kemi për t’i bërë shqiptarët krenar, do të kërkojmë më të mirën. E dimë që kemi një ekip shumë të fortë përpara dhe nuk duam t’ia japim hapësira atyre. Meqë është ndeshja e parë e trajnerit Silvinjo, duhet të japim 200% nga vetja për ta bërë atë të lumtur”, tha Cikalleshi.
Nga ana tjetër Silvinjo ka treguar për atmosferën pozitive që mbizotëron te Kombëtarja. “Ne jemi gati pas 2 muaj e gjysmë punë intensive. Tani i kuptoj shumë më mirë lojtarët, zgjodhëm 23 lojtarët tanë. Është një ndeshje e vështirë, Polonia është shumë e fortë, por unë jam i kënaqur nga puna që kemi bërë dhe atmosfera e krijuar deri tani. Formacioni? E kam në kokë idenë sesi do të luhet, por jemi gati të 23 lojtarët, do të luajmë në grup këtë ndeshje, jo si individ. Cikallesh kapiten? Është vetëm një nga këta 23 lojtarët.
Befasitë i bëjnë lojtarët në fushë, jo ne trajnerët. Santos është trajner i fortë, me shumë eksperiencë në Europë. E di shumë mirë që na ka vëzhguar që çfarë lloj lloje përdorim. Të njëjtën gjë bëjmë edhe ne, është normale në futboll, ne punojmë 24 orë në 24 për të përgatitur ndeshjen. Jam i kënaqur me impenjimin e lojtarëve në stërvitje. Ne kemi shanset tona të kualifikohemi në Europian, rruga është e vështirë. Nuk është vetëm objektivi i Federatës që të kalojmë në Europian, është edhe objektivi ynë. Nuk është objektivi i Federatës, është i yni dhe i lojtarëve.
Është e vështirë rruga, por ne duhet ta marrim edhe një gjysëm pikë nëse është e nevojshme. I kam thënë lojtarëve, ata përfaqësojnë popullin shqiptar dhe shpirtin e një kombi. Ne folëm shumë këtu për Poloninë, por nuk mund të dalë këtu pa folur pa lojtarët e mi. Polakët janë të fortë, por ne kemi Cikalleshin që është i fortë, kemi Uzunin që është i fortë, kemi Mehmetin që është i fortë, kemi Bajramin që është i fortë. Atyre po u hanë këmbët për të hyrë në fushë”, tha Silvinjo. /Sport Ekspres/