Reja u tregon polakëve pikat e forta të Shqipërisë: Janë lojtarët e Serisë A, Myrto Uzuni dhe Elseid Hysaj i shërbejnë shumë Kombëtares

Reja ka dhënë një intervistë për median polake “Super Express”. Ish-trajneri i Shqipërisë ka komentuar ndeshjes e së hënës që do të luhet në Varshavë. Tekniku italian shprehet se pika e fortë e kuqezinjëve janë lojtarët e Serisë A, duke veçuar Kumbullën dhe Hysajn, ndërsa nuk harron edhe Myrto Uzunin.

“Jam kurioz si do të duket dhe si do të dalë kjo ndeshje. Të dyja skuadrat kanë trajnerë të rinj të cilët do të zbatojnë vizionin dhe idenë e tyre me kalimin e kohës. E di që polakët dështuan ndaj çekëve, por ka ende shumë ndeshje përpara. Duhet kohë, edhe pse në situatën aktuale, si për trajnerin e Polonisë, ashtu edhe për Shqipërinë, koha është një luks që mund të mungojë.

Kam frikë se polakët do të duan të rikthehen shpejt për dështimin në ndeshjen e parë. Kanë shumë cilësi. Unë i konsideroj ende favoritët e grupit dhe një humbje nuk e ndryshon këtë. Unë e di shumë mirë se sa shumë do të thotë Robert Leëandoëski për këtë ekip, e megjithatë nuk ju mungojnë individë të tjerë, si Piotr Zielinski apo Karol Swiderski.

Shqipëria? Bërthama e ekipit janë lojtarët që luajnë çdo ditë në Itali. Ata kanë shumë cilësi dhe janë në gjendje të vendosin veten në më të mirën. Sulmuesi Myrto Uzuni po kalon shumë mirë këtë sezon në kategorinë e dytë spanjolle. 20 gola në 29 ndeshje duhet të jenë mbresëlënëse. Mbrojtja duket e mirë, drejtues i së cilës është Marash Kumbulla nga Roma, Hysaj nga Lazio që luan në të djathtë është një mbështetje e madhe. Pra, ne kemi disa lojtarë që luajnë në një nivel të lartë.

Pas hedhjes së shortit për grupet kualifikuese, thashë se favoritët e grupit janë polakët, ndërsa Shqipëria do të luftojë për vendin e dytë me Çekinë dhe e mbaj këtë mendim. Synimi i skuadrës është kualifikimi në Europian”, tha Reja. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *