Humbja e fundit e Vllaznisë i ka kushtuar shumë Mirel Josës. Trajneri është larguar nga shkodranët dhe do ta mbyll kështu misionin e tij për t’u shpallur kampion në Superiore. Në ditën e sotme, Josa është shfaqur për të takuar lojtarët për herë të fundit në seancën stërvitore para largimit të tij. Ndërkohë stafi i ri do të përbëhet nga trajneri Auron Miloti dhe drejtori sportiv Vioresin SInani.
“Pas dy ditëve pushim ekipi i Vllaznisë i është rikthyer ditën e sotme stërvitjes. Përpara fillimit të saj, i pranishëm në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë edhe trajneri Mirel Josa i cili është përshëndetur me të gjithë lojtarët, stafin teknik e mjekësor si dhe me drejtuesit e klubit dhe është larguar duke i uruar suksese atyre në vazhdim.
Më pas, presidenti Alban Xhaferi ka zhvilluar një takim me skuadrën duke prezantuar edhe zyrtarisht para tyre stafin e ri, trajnerin Auron Miloti dhe drejtorin sportiv Vioresin Sinani. Pas një bashkëbisedimi me të gjithë futbollistët, ekipi ka vijuar punën në fushën e stërvitjes duke zhvilluar seancën stërvitore të rradhës”, thuhet në njoftimin e klubit. /Sport Ekspres/