Armand Duka flet para ndeshjes me Poloninë: Lojtarët kanë energji më pozitive me Silvinjon, duam të kualifikohemi në grupet e Europianit

Presidenti FSHF-së, Armand Duka ka ndjekur nga afër sot seancën e parë stërvitore që Kombëtarja shqiptare zhvilloi në fushat e Shtëpisë së Futbollit. Numri një i qeverisë së futbollit është takuar nga afër me lojtarët dhe stafin teknik, ndërsa së bashku kanë parë të gjithë ambientet e reja që ofron kjo qendër e re stërvitore moderne.

Në një prononcim për median gjatë kësaj vizite Presidenti Duka shprehur kënaqësinë që më në fund Kombëtarja stërvitet në shtëpinë e saj, teksa ka komentuar edhe “debutimin” e trajneri Silvinjo, por edhe pritshmëritë që të gjithë kanë për rezultatet e Kombëtares në kualifikueset e Euro 2024. Shqipëria e nis fushatën në këtë edicion me ndeshjen e parë në transfertë ndaj Polonisë më 27 mars, sfidë që luhet në Varshavë.

Më poshtë, edhe prononcimi i potë i Presidentit të FSHF-së, Armand Duka:

Debutimi në Shtëpinë e Futbollit – “Në fakt sot është dita që i kemi uruar mirëseardhjen në Shtëpinë e Futbollit, pavarësisht se Shtëpia e Futbollit e ka nisur aktivitetin me zyrat, me ekipin Kombëtar U-7, por sot realisht është ditë e veçantë, sepse është ekipi kombëtar A që po stërvitet sot këtu. Uroj që e gjithë kjo infrastrukturë e bërë rishtas, fushat e reja, dhomat e zhveshjeve dhe facilitetet e për fizioterapi, palestër, t’i shërbejnë akoma më shumë ekipit kombëtar. Diferencat sot në futboll janë të vogla, ato gjëra që mund të konsiderohen të vogla, nëse i bashkon të gjitha bashkë, bëjnë atë hapin cilësor për të shkuar më lart. Besoj se në këtë edicion kjo është risia që i është ofruar ekipit për të treguar seriozitetin, por dhe për t’i krijuar kushte më të mirë Kombëtares dhe për të patur rezultate akoma më të mira për kualifikueset e Euro 2024”.

Përshtypjet e para nga Sylvinho – “Ndryshe nga më parë, stafi ka qenë i angazhuar 100% në Shqipëri apo në dispozicion të ekipit nga dita e parë që ka firmosur kontratën deri sot. Me përgatitjen e stërvitjes, me përgatitjen e stafit, ka qenë pjesë aktive qoftë edhe e kompletimit të qendrës stërvitore në Shtëpinë e Futbollit. Trajneri dhe stafi tij kanë jetuar gjithë kohën në Shqipëri, duken më aktivë, edhe lojtarët duken me një energji akoma më shumë pozitive. Uroj që kështu bashkë me këto energji pozitive t’i shërbejë për të pasur rezultat pozitiv gjatë edicionit. Siç thuhet në futboll, e rëndësishme është ndeshja e radhës, kështu që të kemi rezultat pozitiv kundër Polonisë dhe pas kësaj sfide të shohim ndeshjet e tjera”.

Pritshmëritë e trajnerit – “Kërkesa e tij kryesore ka qenë ta nisnim edicionin këtu në “Shtëpinë e Futbollit” dhe koha ka qenë relativisht e pakët, për këtë duhet falënderuar e gjithë administrata e FSHF-së, që ka punuar nga 24 orë për ta bërë këtë qendër gati për ditën e sotme për ta filluar këtu rrugëtimin sipas kërkesës së trajnerit. Kërkesa të tjera vetë trajneri Silvinjo nuk ka, por kërkesa e të gjithëve është ekipi të jetë maksimalisht i përkushtuar dhe i mobilizuar, urojmë që të na dhurojnë diçka pozitive në Poloni”.

Objektivat në kualifikuese – “Kemi bërë gjithçka për të pasur rezultate më të mira. Kemi vënë gjithçka në dispozicion të këtij ekipi, kemi vënë gjithçka në dispozicion të këtij stafi, kështu që padyshim që presim dhe kemi thënë që objektivi ynë është kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Sigurisht që nuk është grup i lehtë, nuk është një edicion i lehtë, është akoma më i vështirë edhe për faktin e kundërshtarëve që ka dhe për faktin që luhet në një periudhë të ngushtë. Kështu që uroj të kemi sa më pak mungesa, sa më pak dëmtime, sa më shumë përkushtim dhe kështu shkojmë drejt rezultateve pozitive. Uroj që të kemi akoma më shumë të reja në drejtim të rezultateve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *