Nga diplomimi si trajner në FSHF, te puna e re në Zvicër, Migjen Basha këshillon: Luani me zemër dhe e dërgoni sërish Shqipërinë në Europian

Ish-mesfushori i njohur i Kombëtares shqiptare, Migjen Basha vendosi para dy vitesh të tërhiqet nga futbolli i luajtur dhe të ‘varë këpucët në gozhdë’. Thuajse të gjithë jetën e tij, që nga fëmijëria e deri më tani që është 37 vjeç ia ka kushtuar futbollit, në fillim si lojtar, e tashmë si një trajner në zhvillim e sipër. Vetëm muaj më parë, Migjeni u diplomua nga ‘Shkolla e Trajnerëve’ të Federatës Shqiptare të Futbollit me licencën UEFA A, një licencë profesioniste që e zotërojnë të gjithë zëvendës-trajnerët e ekipeve në kampionatet elitë dhe që është e detyrueshme për të gjithë trajnerët e ekipeve të para dhe U-21, U-19 e kështu me radhë në futbollin profesionist.

Në një intervistë për fshf.org, dikur si kursant në këtë kurs, Migjeni synonte që të pajisej me licencën ‘UEFA A’ e të niste ëndrrën e tij në futboll si trajner. Pas diplomimit, ish-mesfushori kuqezi duket se nuk e pati aspak të vështirë të dallonte mes më të mirëve. Tanimë, si një trajner me kualifikimin e duhur, Migjen Basha është bërë pjesë e ekipit të Lausanne-s në kampionatin zvicerian. Që në fillim të këtij viti të ri, Migjen Basha bëri një hap shumë të rëndësishëm në karrierë, duke u emëruar ‘Talent Manager’ në skuadrën e Lausanne-s në Zvicër.

Në një intervistë për fshf.org, ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare rrëfen eksperiencën e tij të re në ekipin zvicerian dhe tregon më tepër rreth detyrës së tij. “Eksperiencën si trajner e kam filluar që prej muajit korrik. Është një punë që më jep shumë çdo ditë dhe po mësoj gjëra të reja. Puna ime në ekipin e Lausanne-s në kampionatin zvicerian është ai i një “talent manager” që do të thotë se bëj menaxhimin e futbollistëve të rinj që nga mosha U-16 deri te lojtarët më mëdhenj, U-21. Pra, si ‘Talent Manager’ më duhet të organizoj stërvitjet specifike në bazë të nevojës, ku duhet të përmirësohet lojtari i ri, e deri te bisedat me prindër dhe me menaxherë të ndryshëm si edhe bisedat për kontratat e shumë të tjera. Më konkretisht, detyra ime është që ta shoqëroj futbollistin e ri deri te porta e profesionalizmit dhe skuadra e parë” – thotë Migjen Basha, i cili tregon gjithashtu se pavarësisht se ka përfunduar kursin në Shqipëri, nuk ndjen asnjë diferencë me trajnerët që janë diplomuar në shtete të ndryshme të Europës.

“Raporti me kolegët është vërtetë shumë i mirë. Çka gjej shumë interesante këtu në Zvicër është se ka trajnerë nga shtete të ndryshme të botës. E teksa  bisedojmë ndonjëherë me njëri-tjetrin rreth punës, kam konstatuar se shumë gjëra që kam mësuar në Shqipëri, janë të njëjta me ato që mësohen edhe në shtetet e tjera. Kursi ka qenë me të vërtetë shumë i mirë dhe i vlefshëm. Profesorët janë vërtetë shumë të përgatitur, ndërsa duhet të keni parasysh diçka. Gjatë kohës që je lojtar, nuk e mendon shumë punën e trajnerit, ndërsa kur fillon kursin mendon krejtësisht ndryshe. Personalisht, kam kaluar shumë mirë me të gjithë”.

Migjen Basha nuk nguron të japë edhe sugjerimet e tij për trajnerët dhe profesorët e kursit të Shkollës së Trajnerëve në FSHF. “E vetmja gjë që mund t’i sugjeroja është që t’i jepet mundësia atyre që bëjnë kursin që të mund të kenë mundësinë të vizitojnë klubet europiane për të kuptuar se si punohet. Besoj se do të jetë një mësim shumë i mirë për të gjithë” – sugjeron ish-mesfushori shqiptar, i cili ruan kujtimet më të mira me Kombëtaren dhe ka edhe një mesazh për kuqezinjtë.

‘E kujtoj çdo ditë Kombëtaren dhe kohën që kam kaluar si futbollist me çunat e tjerë, pasi në shtëpi kam shumë foto nga koha kur luaja me Shqipërinë. Një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ndër ditët e mia më të lumtura dhe që nuk do t’i harroj kurrë janë ato kur u kualifikuam për herë të parë në Europianin e vitit 2016. Një këshillë kam edhe për çunat tani: Asgjë nuk është e pamundur, luani me shpirt dhe zemër dhe do t’ia dilni që ta dërgoni Shqipërinë sërish në EURO 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *