Sonte në Beograd do të luhet ndeshja e 1/8 në Conference League mes Partizanit të Beogradit dhe Sherifit, teksa para ndeshjes në rrugët e këtij qyteti janë parë skena shumë të shëmtuara. Përkatësisht, trazirat e tifozëve u zhvilluan në rrugët e Beogradit dhe një grup tifozësh vizitorë nga Moldavia ishin protagonist.
Në afërsi të stadiumit “Rajko Mitic”, mbrëmë rreth orës 21:00, disa huliganë goditën katër simpatizantët e Sherifit që ndodheshin në rrugë. Mediat nga Serbia pohojnë se huliganët i kanë përgjuar në parkingun në dalje të një marketi për gjuhën që po flisnin dhe më pas i kanë rrahur.
Dy tifozë të Sherifit janë dërguar në spital, gjatë natës kanë marrë ndihmë mjekësore dhe më pas janë liruar për mjekim në shtëpi. Ende nuk dihet nëse “pritja” është bërë nga tifozët e Partizanit apo Crvena Zvezda. Një pjesë e mediave në Serbi shkruan se përgjegjës për sulmin është grupi i tifozëve Grobara, ndërsa të tjerë pretendojnë se është përfshirë Delija pasi personat ishin të maskuar. /Sport Ekspres/