Erik Ten Hag po përpiqet të ngrejë Manchester United-in në nivelet e dikurshme. Trajneri holandez nisi projektin e tij me “djajtë e kuq“ në verë, ku u lakua shpesh në faqet e para të gazetave për shkak të raportit të tij me Cristiano Ronaldon.
Ten Hagu vendosi ta linte në stol 5 herë fituesin e Topit të Artë, duke e trajtuar njësoj si çdo lojtar tjetër, pavarësisht emrit dhe historisë që portugezi kishte me vete. Një sjellje të cilën vetë Ronaldo e kritikoi në intervistën e tij me Piers Morganin, duke e akuzuar trajnerin e Manchester United-it për mungesë respekti.
Por jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim për 53-vjeçarin. Xavi ka thurur elozhe për ish-trajnerin e Ajax-it, të cilin e vlerëson maksimalisht për mënyrën se si i merr më të mirën lojtarëve dhe për mënyrën se si di të menaxhojë dhomën e zhveshjes.
“Ai është shumë i mirë, më pëlqen shumë. Ka ndërtuar një ekip dhe po i merr më të mirën lojtarëve të tij. Kjo flet mirë për të. Ai është tepër i mirë taktikisht dhe e përballon shumë mirë dhomën e zhveshjes“, ka thënë Xavi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/