Bitri ishte një prej tre lëvizje më të bujshme të ardhura nga Superiore në këtë merkato dimri. Mbrojtësi zgjodhi që të kalonte nga Partizani te Banik Ostrava. Në një intervistë për “Supersport”, lojtari ka treguar problemet në ambientimin në Ceki. Gjithashtu nuk mund të lërë pa prekur kohën te Partizani dhe dëshirën për të qenë kampion në Shqipëri.
“Futbolli në Çeki është shumë i fortë, shumë më ndryshe nga Ballkani. Shumë fizik dhe mund të bësh hapa në karrierë, ndaj më bindi që të bëj mirë në ekipin ku jam e të tentoj për më tej. Jam ndjerë shumë mirë. Më kanë pritur mirë këtu të gjithë. Është pak e vështirë klima, pasi është shumë ftohtë dhe nuk e kisha provuar këtë temperaturë. Nuk kam djersitur ende sepse janë temperatura shumë të ulëta.
Partizani? E kisha ëndërr të ngrija një titull me Partizanin, pasi kur je edhe kapiten, ke më shumë përgjegjësi. Është më shumë vlerësim dhe u ndjeva keq, e them me shpirt, por ky është futbolli. Uroj me shpirt që të jetë kampion pasi e meriton. Ka një klub dhe lojtarët më të mirë në Shqipëri.
Lojtarëve iu bë qejfi që unë ika diku jashtë, por Murataj më ka ngacmuar më shumë. Më thoshte ti nuk do të ikësh asnjëherë nga Partizani, por dita erdhi. Ai e dinte mirë lidhjen time me Partizanit, pasi jam dhe tifoz i “të kuqve”, ndihem si ultras”, tha Bitri. /Sport Ekspres/