“Sot largohet Ismajlgeci“, Halili tregon pengun e tij: Kam shumë pishmanllëk për Kupat e Europës, 2-3 lojtarë u gënjyen nga menaxherët

Refik Halili ishte i pranishëm në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve “Më të mirët e vitit 2022”. Presidenti i Tiranës foli përpara nisjes së eventit për mikrofonin e “Supersport”-it, ku tregoi edhe surprizën e madhe. Halili konfirmoi se kapiteni Ismajlgeci nuk do të jetë më pjesë e Tiranës, duke nisur nga sot. Sa i përket pengjeve për vitin që lamë pas, kreu i klubit kryeqytetas i kthehet ndeshjeve në kualifikueset e kupave të Europës. Sipas tij, 2-3 futbollistë nuk dhanë maksimumin, pasi u gënjyen nga menaxherët për transferime më të shpejta.

“Ky event është organizim i shkëlqyer. Titulli i fundit ishte shumë i rëndësishëm, i kemi dhënë merita skuadrës. Jemi të kënaqur me kryesimin aktual, por kampionati është shumë i gjatë. Shpresoj të bëhet më e mira. Kemi shumë pishmanllëk sa i përket Kupave të Europës. Ndoshta nuk ishim të përgatitur, pasi kishim ndërhyrje nga menaxherët. Ata u premtonin futbollistëve transferime të shpejta. 2-3 futbollistë ndoshta nuk dhanë maksimumin, duke menduar se do eliminoheshim shpejt. Shpresojmë ta rregullojmë për të ardhmen.

Surpriza? Sot largohet kapiteni Ismajlgeci, e falënderoj për kontributin. Një futbollist i akademisë shkon në një klub tjetër. Ndoshta do të kemi një afrim të shpejtë, ndoshta nesër. Objektivi? Duam të zerojmë të gjithë problemet e së kaluarës. Çdo gjë e kemi bërë kundrejt rregullave dhe dokumentacioneve. Të gjitha gjërat janë të pastra. Përqendrimi është tek skuadra, pasi tifozeria kërkon që gjithmonë të shkojmë te titulli kampion”, u shpreh kreu i klubit bardheblu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *