Departamenti i Ekipeve Kombëtare ka vijuar me seleksionimet e lojtarëve të vitlindjeve 2007 dhe 2008 edhe gjatë kësaj fundjave. Pas seleksionimit të parë të shtunën e kaluar me lojtarë të këtyre grupmoshave, trajnerët e ekipeve kombëtare U-16 dhe U-17 dhe specialistët e këtij Departamenti kanë zbritur edhe këtë fundjavë në fushë për të vijuar me punën e tyre me futbollistët e rinj.
Futbollistë shqiptarë të vitlindjeve 2007 dhe 2008, pjesë e kampionatit shqiptar, si edhe kampionateve në Gjermani e Itali, zbritën në fushë dhe ishin pjesë e këtij seleksionimi të dytë të planifikuar nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare këtë fundjavë në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.
Rreth 70 lojtarë të këtyre dy grupmoshave u paraqitën në këtë seleksionim, teksa shumica prej tyre kanë qenë edhe më parë pjesë e seleksionimeve të zhvilluara nga trajnerët e ekipeve të moshave.
E veçanta e këtij seleksionimi ishin futbollistët shqiptarë të cilët erdhën nga jashtë vendit, e të cilët aktivizohen në kampionatet gjermane e italiane. Pas seleksionimeve në Gjermani e Itali gjatë muajit dhjetor, trajnerët Kërçova e Bulku i kanë dërguar ftesë kuqezinjve, për t’i vëzhguar sërish e për t’iu dhënë edhe mundësinë të jenë pjesë e ekipeve kombëtare në të ardhmen.
Veç seancave stërvitore, kuqezinjtë patën mundësi të zhvillojnë edhe ndeshje testuese të ndarë në grupe, duke treguar kështu edhe cilësitë e tyre në fushë. Këto seleksionime të zhvilluara më 7 dhe 14 janar ishin një mundësi shumë e mirë për trajnerin e ekipit kombëtar U-17, Ervin Bulku, për të përzgjedhur lojtarë të rinj e cilësorë që do të përbëjnë grupin kuqezi që do të përfaqësojë Shqipërinë U-17 në eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Europian 2024.