Jurgen Klop është pa diskutim një nga trajnerët më të mirë të botës. Gjermani ka ngritur sërish Liverpulin në nivelet më të larta të futbollit, duke fituar Premier Ligën dhe Ligën e Kampionëve pas shumë vitesh. Kreu i pankinës së të kuqve është një një tjetër nivel edhe sa i përket sjelljes së tij.
Mjafton vetëm një gjest pas humbjes së papritur 3-0 kundër Brajtonit për të kuptuar ndryshimin mes tij dhe kolegëve të tij. Nëse çdokush tjetër do të përpiqej të gjente justifikimet e radhës për t’i shpëtuar kritikave dhe përgjegjësive, për trajnerin e Liverpulit nuk ndodh kështu.
Jurgen Klop u përul përpara tifozëve dhe me duart e bashkuara para fytyrës së tij i kërkon falje për ndeshjen e zhvilluar. Në intervistën për mediat pas përfundimit të takimit, 55-vjeçari ka pranuar se: “Nuk më kujtohet një lojë më e keqe se kaq. E kam fjalën për të gjitha, jo vetëm për Liverpulin. Kjo është përgjegjësia ime”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/