Më shumë sesa të gjithëve, ky pushim për shkak të festave të fundvitit i shkon përshtat Kukësit. Kjo skuadër mund të mendojë më qetë dhe të zgjidh planet e së ardhmes sa i përket trajnerit të ri. Kush do të jetë njeriu që do ta drejtojë këtë skuadër?
Si për ta bërë situatën më të komplikuar mendon edhe Hallaçi. Fillimisht u pa si një zgjedhje për të mbyllur këtë vit kalendarik, por në fakt ky trajner meriton shumë më tepër. Në dy ndeshjet e zhvilluara me të në pankinë kundër Partizanit dhe Laçit, verilindorët arritën të fitonin në derbin e tyre.
Për më tepër u pa qartë se lojtarëve i është rikthyer motivimi për të treguar vlerat e tyre të vërteta në fushën e lojës. A do t’i besojnë në klub këtij trajneri për vazhdimësinë? Kjo është pyetja e parë që duhet të shtrohet.
Gjithsesi, nëse do të kemi një trajner të ri, emri më i përmendur është Bylbyl Sokoli. Me këtë trajner ka pasur kontakte edhe më herët, kur në krye të stoli ishte Dobi. Megjithatë në bazë të informacioneve që siguron “Sport Ekspres”, Sokoli ka kërkuar që në merkaton e janarit të sillen ata futbollistë që i përshtaten skemave të tij.
Por kjo ide nuk i përshtat më së miri Kukësit që ka investuar shumë në lojtarët e blerë gjatë merkatos së verës dhe për drejtuesit e klubit, duhet të vazhdohet me ta, madje duke u quajtur përgjegjës për situatën pasi nuk po shfaqin asgjë nga vlerat që priteshin.
Pra te verilindorët kërkohet që të ketë pak lëvizje në këtë merkato dhe kjo është konfirmuar edhe nga vetë Hallaçi në konferencat për shtyp, duke u shprehur se do të zëvendësohen vetëm ato pak largime. Kjo është ndasia më e madhe me Bylbyl Sokolin, ndërsa në bazë të informacioneve nga redaksia jonë, nuk ka pasur ende ndonjë kontakt në ditët e fundit nga ana e klubit me këtë trajner. /Sport Ekspres/